VOLEJBOLL FEMRA/ Kampione të Shqipërisë, Pogradeci hyn në histori! Tirana dorëzohet në finalen e pestë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2026 | 12:28

VOLEJBOLL FEMRA/ Kampione të Shqipërisë, Pogradeci hyn në histori! Tirana dorëzohet në finalen e pestë

Pogradeci ka shkruar emrin e tij në librin e artë të volejbollit shqiptar për vajza. Liqenoret mundën dje pastër Tiranën në finalen e pestë “play off”, duke e mbyllur serinë 3-2 me ndeshje, për t’u shpallur për herë të parë në histori kampione të Shqipërisë.

pg

Festë e jashtëzakonshme në sallën “Arefi Berberi”, me skuadrën e trajnerit shkodran Besnik Lisha që kurorëzon me dopietë një edicion ëndrrash, pasi më parë liqenoret kishin fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Ndonëse iu lëkundën shumë pozitat në finalet “play off”, duke e parë veten dy herë në disavantazh me ndeshje, pogradecaret ditën si të reagojnë dhe me dy fitore të pastra në finalet katër dhe pesë ia dolën që të kurorëzohen kampione. Nga ana tjetër, vajzat bardheblu të Adrian Gorencës, edhe pse provuan deri në fund, e dorëzojnë kurorën, ndërsa e gjithë festa i takon skuadrës juglindore.

Një triumf i merituar, i ndërtuar me investime dhe me një projekt ambicioz, me Pogradecin që tashmë e sheh veten në majën e sportit të rrjetës.

FINALJA 5 – Pogradeci dhe Tirana zbritën dje në parketin e sallës “Arefi Berberi”, të tejmbushur me tifozë, për një takim që do të vendoste fatet e titullit. Seti i parë nisi me rivalitet, por gradualisht ekipi pogradecar nisi të komandojë, për të fituar thellë 25-16. Në të dytin kryeqytetaset patën një përmirësim të lehtë në lojën e tyre, duke qenë ato kryesuese në momentet fillestare, por në fund nuk mundën të mbanin të njëjtën saktësi. Liqenoret bënë diferencën, ndërsa Kennedy Stanford fiksoi pikën finale të setit që u mbyll 25-20.

Nën entuziazmin e një qyteti që priste me padurim titullin, liqenoret shpërthyen në setin e tretë, duke komanduar gjatë të gjithë kohës. Vajza e Kosovës, Edona Kalludra, stampoi pikën e titullit, duke vulosur setin 25-17, ndeshjen 3-0 dhe serinë 3-2, duke bërë që të shpërthejë festa e shfrenuar në sallë, pas një takimi që zgjati 83 minuta. Aryn Johnson me 14 pikë, Kennedy Staford me 12 dhe Kejda Kodra me 10 pikë ishte treshja që preku dopioshifër në sulmin pogradecar në finalen e pestë. Në fund u zhvillua edhe ceremonia tradicionale e medaljeve, me ekipin liqenor që ngriti lart trofeun e shumëdëshiruar.

01  02

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL