VOLEJBOLL/ Erzeni e Skënderbeu e mbyllin me dy raunde kualifikimin, shijakasit dhe korçarët shkojnë në gjysmëfinale
Kampionati kombëtar i volejbollit për meshkuj ka mbyllur mbrëmjen e djeshme fazën para “play off”, duke mësuar dy skuadrat që i bashkohen Partizanit dhe Tiranës në gjysmëfinale.
Kështu, Skënderbeu dhe Erzeni nuk kanë patur nevojë për ndeshje të tretë, duke e siguruar kualifikimin në transfertë në përballjet e dyta. Duke e nisur nga korçarët, pas fitores së pastër në shtëpi, skuadra e trajnerit Arben Prifti e mposhti Studentin edhe në “Asllan Rusi”, sërish në shifrat 0-3. Skënderbeu e filloi më së miri duke marrë bindshëm setin e parë me rezultatin 19-25.
I dyti ishte më i luftuar, me Studentin që provoi të reagonte, megjithatë korçarët ia dolën ta menaxhonin lojën, për të fituar 23-25. I treti nisi më mirë për kryeqyetasit, të cilët shkuan në epërsi deri në 8 pikë, duke kryesuar 15-7. Por më pas Skënderbeu u rikthye dhe pas disa pikëve shtesë, ia doli të fitojë 27-29, ku protagonist i “match point”-it ishte Caylor Cox, i cili e mbylli ndeshjen si shënuesi më i mirë me 19 pikë, mbështetur nga Heredia Sanay me 16. Për Studentin shënuesi më i mirë ishte Alex Fernandez me 18 pikë. Në gjysmëfinalen tjetër ndërmjet Vllaznisë dhe Erzenit, takim që u zhvillua në Shkodër, për të përcaktuar fituesin u deshën 5 sete dhe 2 orë e 19 minuta.
Shijakasit triumfuan me rezultatin 2-3, duke siguaruar kalimin në gjysmëfinale, pasi më parë kishin fituar pastër në shtëpi. Një betejë e vërtetë në parket që u kuptua që në setin e parë, me Erzenim që fitoi 25-27. Shijakasit thelluan në 0-2, duke marrë edhe setin e dytë 15-25. Më pas erdhi reagimi i kuqebluve, të cilët fituan setin e tretë 25-21 dhe rikthyen ekuilibrat duke marrë edhe të katërtin 26-24. Në setin final Erzeni u tregua më i kthjellët dhe arriti të fitonte 13-15, duke prerë biletën e kualifikimit me pikën finale nga Max Senica, i cili e mbylli sfidën me 21 pikë.
Paraqitje super nga Matheus Gomes, autor i 27 pikëve për miqtë, ndërsa te Vllaznia shënuesi më i mirë ishte kapiteni Nikolin Qafarena me 19 pikë. Tashmë do të jetë radha për ndeshjet gjysmëfinalet, me Partizanin që luan kundër Erzenit, ndërsa Tirana do të marë forcat me Skënderbeun.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













