VOLEJ/ Partizani, fitorja në Elbasan është një formalitet
Kampionati kombëtar i volejbollit për meshkuj ka hapur dje javën e 12-të për sezonin e rregullt me një ndeshje që vendoste përballë dy skajet e tabelës, Elbasanin e vendit të fundit dhe Partizani kryesues.
Siç edhe pritej, për të kuqtë rezultoi gjithçka e thjeshtë në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Skuadra e Ylli Tomorrit fitoi me rezultatin e pastër 0-3 në një takim që zgjati vetëm 55 minuta. Diferencat e seteve ishin të mëdha, me miqtë që fituan thellë 12-25, 14-25 dhe 10-25. Me këtë sukses Partizani shkon në kuotën e 26 pikëve, duke hipotekuar vendin e parë në klasifikim.
Ndërkohë, Elbasani mbetet në vend të fundit, me 11 humbje në po kaq ndeshje, duke mos shënuar asnjë set të fituar. Për sa u përket ndeshjeve të tjera të kësaj jave, ato do të luhen sot. Fillimisht në orën 18:00 do të përballen Vllaznia dhe Tirana në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Më pas, në orën 19:00 do të luhet takimi Studenti-Erzeni në sallën “Feti Borova”.

PANORAMASPORT.AL













