VOLEJ/ Liga “Gjergj Kastrioti”, tris titujsh i Partizanit. Skuadra e Ylli Tomorrit feston në Farkë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2026 | 9:34

VOLEJ/ Liga “Gjergj Kastrioti”, tris titujsh i Partizanit. Skuadra e Ylli Tomorrit feston në Farkë

Partizani është fitues i Ligës “Gjergj Kastrioti” për të tretin edicion radhazi në volejbollin e meshkujve.

partizani volejboll

Të kuqtë kurorëzuan një fazë finale perfekte, teksa pasi kishin mposhtur 3-0 në gjysmëfinale Tiranën, bënë të njëjtën gjë edhe në finalen e madhe, duke mundur 3-0 edhe Skënderbeun, për të ngritur lart trofeun e kompeticionit të përbashkët me klube nga Shqipëria dhe Kosova. Skuadra e Ylli Tomorrit konfirmoi edhe në parket statusin e favoritit, duke u shfaqur superiore ndaj korçarëve në sallën e Farkës, për t’i mbyllur llogaritë e ndeshjes në harkun kohor të 90 minutave.

Partizani e nisi takimin me përqendrimin dhe organizimin e duhur, duke mos lëshuar asgjë në setin e parë, aty ku kryesoi gjatë gjithë kohës, për të fituar 25-21. I dyti ishte “tërhiq e mos e këput”, me të kuqtë që krijonin 3-4 pikë epërsi dhe më pas korçarët afroheshin deri në 1 pikë, ndërsa në fund Partizani e vulosi setin në shifrat 25-22. Në setin e tretë skuadra e drejtuar nga Arben Prifti u fut më mirë në lojë, duke qenë vazhdimisht përpara në pikë, deri në shifrat 20-21.

Më pas doli sërish në skenë kualiteti dhe organizimi i “demave”, të cilët morën kontrollin dhe ishin të vendosur për t’i mbyllur llogaritë me 3 sete, duke fituar sërish 25-22, për ta mbyllur me festë në sallën sportive që ndodhet në periferi të kryeqytetit. Në fund u zhvillua edhe ceremonia tradicionale e medaljeve, ndërsa trofeu iu dorëzua kapitenit Osman Qepa nga Presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, dhe Presidenti i FVKsë, Bahri Gjinovci, me Partizanin që iu gëzua suksesit të merituar.

Tashmë skuadra e Ylli Tomorrit e vendos fokusin në finalen e Kupës së Shqipërisë, aty ku do të përballet me Tiranën në finale. Kujtojmë që Partizani është gjithashtu kryesues edhe në kampionatin kombëtar dhe mbetet pretendent numër një për titullin.

121

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL