VOLEJ FEMRA/ Pogradeci bën historinë, mposht me pesë sete Tiranën dhe fiton Kupën
Pogradeci i volejbollit të femrave ka shënuar një tjetër rezultat historik për klubin juglindor. Vetëm pak ditë pas triumfit mbarëkombëtar në Ligën “Gjergj Kastrioti”, skuadra liqenore ka ngritur edhe trofeun e parë në arenën kombëtare. Pogradeci është shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë për sezonin 2025-2026, pas një finaleje spektakolare kundër Tiranës.

Vajzat e drejtuara nga trajneri Besnik Lisha triumfuan me rezultatin 3-2 (18-25, 25-18, 25- 22, 17-25, 15-11) në një takim dramatik që zgjati 2 orë e 16 minuta në sallën e Farkës. Në fund festa e merituar ishte për Pogradecin, ndërsa Tirana edhe pse e nisi mirë duke fituar setin e parë dhe provoi gjithashtu të futej në lojë, duke marrë edhe të katërtin, u dorëzua në setin final.
Kështu, Kupa shkon në Pogradec, me liqenoret që vijojnë kështu sezonin e jashtëzakonshëm, duke mos njohur asnjë humbje në të gjitha kompeticionet. Në fund kishte vend për festën pogradecare, me liberon Anxhela Mehmeti që u shpall lojtarja më e mirë e finales, ndërsa Paola Gjata ngriti lart trofeun e Kupës së Shqipërisë.



PANORAMASPORT.AL













