VOLEJ FEMRA/ Fitojnë Tirana dhe Partizani, sot kryendeshja Dinamo-Pogradeci
Superliga e volejbollit të femrave po i drejtohet gradualisht fundit të sezonit të rregullt, teksa ka nisur java e 12- të me dy përballje. Takime që nuk dhuruan surpriza, me Tiranën dhe Partizanin që fituan me rezultate të pastra ndeshjet respektive në transfertë.
Vajzat bardheblu triumfuan në Shkodër, duke e mundur Vllazninë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” me rezultatin 0-3 në një sfidë që zgjati 1 orë e 25 minuta. Për sa u përket seteve, Tirana i fitoi bindshëm, 18-25 të parin dhe në shifrat 19-25 të dytin e të tretin, duke hipotekuar 3 pikët në këtë takim. Sërish performancë “top” nga Enkeleda Brahon, protagoniste me 16 pikë për kryeqytetaset në këtë takim.
Të njëjtën shifër pikësh e shënoi edhe Madilyn Batiste për Vllazninë, por që nuk shërbyen për të shmangur humbjen e vendëseve. Kjo ishte fitorja e dhjetë në kampionat për Tiranën, sukses që e barazon momentalisht në renditje me Dinamon e vendit të dytë. Ndërkohë, Vllaznia mbetet në vend të gjashtë në kuotën e 8 pikëve. Për sa i përket takimit tjetër që u zhvillua dje, Partizani e kishte shumë të thjeshtë përballë Korabit të vendit të fundit.
Të kuqet e trajnerit Andi Lundra fituan me rezultatin 0- 3, duke i mbyllur llogaritë për 67 minuta. Një ndeshje pa histori, me vajzat nga Peshkopia që nuk kanë fituar asnjë set në këtë sezon dhe tashmë të rëna nga kategoria edhe matematikisht. Për sa u përket seteve, Partizani fitoi me rezultatet 18- 25, 15-25 dhe sërish 15-25. Java e 12-të do të kompletohet sot me dy takimet e mbetura, ku vëmendja më e madhe do të jetë të jetë të kryendeshja Dinamo-Pogradeci, sfidë që do të luhet në orën 16:00 në Farkë. Më tej, në orën 18:00, Skënderbeu pret Teutën në Korçë.
PANORAMASPORT.AL













