Vllaznia është bërë “makthi” i kampionëve, kuqeblutë të pamposhtur ndaj rrogozhinasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2026 | 13:35

Vllaznia është bërë “makthi” i kampionëve, kuqeblutë të pamposhtur ndaj rrogozhinasve

Përballjet mes Vllaznisë dhe Egnatias në sezonin 2025-26 të Superiores kanë folur qartë në favor të shkodranëve. Kuqeblutë kanë ruajtur një ecuri pozitive ndaj rivalëve nga Rrogozhina, duke mos njohur asnjë humbje.

VLLAZNIA-EGNATIA

Një statistikë që padyshim i jep besim skuadrës së Vllaznisë në prag të përballjes së pestë mes dy ekipeve në fazën “Final 4”. Gjithçka nisi në javën hapëse të kampionatit, aty ku Vllaznia dha menjëherë sinjalet e një skuadre pretendente. Shkodranët triumfuan me rezultatin 2-0 ndaj Egnatias, falë golave të Gurishtës dhe Bajramit. dominuan lojën dhe treguan forcën e tyre që në startin e sezonit.

Në fazën e dytë, dy ekipet dhuruan një nga ndeshjet më spektakolare të kampionatit. Në Rrogozhinë, sfida përfundoi në barazim 2-2 pas një dueli të luftuar deri në minutat e fundit. Për vendasit realizuan Jahaja dhe Haime, ndërsa për Vllazninë shënuan Kallaku dhe Balaj, duke bërë që shkodranët të dilnin sërish me pikë nga transferta ndaj kampionëve në fuqi.

Edhe përballja e fazës së tretë konfirmoi superioritetin e Vllaznisë në duelet direkte të këtij sezoni. Një gol i Kallakut rezultoi vendimtar për suksesin minimal 1-0 të kuqebluve, në një sfidë ku skuadra shkodrane tregoi personalitet dhe pjekuri ndaj një kundërshtari me shumë cilësi.

Ndërkohë, dueli i fazës së katërt ishte më i balancuar dhe u mbyll me rrjeta të paprekura, 0-0, duke bërë që Vllaznia të ruante rekordin pa humbje ndaj Egnatias.

Në prag të ndeshjes së pestë mes dy skuadrave në “Final 4”, statistikat dhe precedentët e këtij sezoni janë një tregues pozitiv për Vllazninë. Dy fitore dhe dy barazime në katër përballje tregojnë qartë se shkodranët kanë ditur ta lexojnë mjaft mirë lojën e Egnatias.

ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL