Vllaznia drejt Vlorës, dilema e vetme është mbrojtësi i djathtë. Martini me formacionin më të mirë ndaj Flamurtarit
Para përballjes me Flamurtarin, te Vllaznia ka vetëm një pikëpyetje sa i përket formacionit, gjendja fizike e mbrojtësit të djathtë Erdenis Gurishta.

Futbollisti 30-vjeçar mungoi edhe në “klasiken” ndaj Tiranës, sfidë që shkodranët e fituan me rezultatin 3-1. Shkak për mungesën e tij u bë një tërheqje muskulore, e cila rezultoi disi më serioze nga sa ishte parashikuar fillimisht nga stafi mjekësor. Për këtë arsye, numri “2” i kuqebluve jo vetëm që nuk u aktivizua, por madje nuk u grumbullua as për sfidën e Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit.
Megjithatë, situata për mbrojtësin shkodran duket optimiste. Gurishta ka rifilluar gradualisht stërvitjen dhe ekziston mundësia që ai të marrë minuta në takimin e radhës ndaj vlonjatëve, edhe pse vendimi përfundimtar pritet të merret pas para zhvillimit të ndeshjes. Ndërkohë, në ndeshjen e kupës ndaj ballshiotëve munguan edhe Edon Murataj dhe Çarls Bismark , por në rastin e tyre nuk bëhet fjalë për dëmtime serioze. Dyshja ka shfaqur disa shqetësime të vogla fizike, megjithatë mosgrumbullimi ka qenë kryesisht një zgjedhje teknike e trajnerit Edi Martini, e në duelin me Flamurtarin ditën e diel pritet të jenë pjesë e skuadrës.
FORMACIONI – Në prag të përballjes së javës së 27-të të Kategoria Superiore, Vllaznia përgatitet për një transfertë të rëndësishme në jug të vendit, aty ku do të përballet me Flamurtarin në Vlorë. Kuqeblutë udhëtojnë drejt Vlorë me objektivin e qartë për të marrë tre pikët e radhës dhe për të vazhduar ecurinë pozitive në kampionat. Trajneri Edi Martini pritet t’u besojë edhe këtë javë futbollistëve që kanë treguar formën më të mirë në javët e fundit. Në portë, titullar i padiskutueshëm pritet të jetë portieri gjerman Leon Pohls, i cili ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës shkodrane këtë sezon, duke ofruar siguri dhe stabilitet mes shtyllave.
Në repartin e mbrojtjes, dy qendrat duken pothuajse të sigurta me Gjinin dhe Bajramin që pritet të mbajnë barrën kryesore përpara portierit. Ndërkohë, një dyshim mbetet në krahun e djathtë të mbrojtjes mes Gurishtës dhe Pusit. Ku i pari ka pasur një shqetësim fizik gjatë ditëve të fundit dhe për aktivizimin e tij pritet të vendoset vetëm pak orë përpara nisjes së ndeshjes. Në mesfushë, trajneri Martini duket se do t’i besojë një tresheje tashmë të konsoliduar. Klinti Qato, Sherif Kallaku dhe Ardit Krymi pritet të formojnë boshtin e mesfushës, duke kombinuar forcën fizike me organizimin e lojës.
Në krahë, dinamika dhe shpejtësia do të vijnë nga Lirim Kastrati në të djathtë dhe Jago në të majtë. Sa i përket repartit ofensiv, eksperienca dhe instinkti i golit do të mbështeten te kapiteni Bekim Balaj, i cili pritet të udhëheqë sulmin e kuqebluve. Në krah të tij, si pjesë e formacionit titullar pritet të jetë Esat Mala, i cili me lëvizjet dhe energjinë e tij shihet si futbollisti që do të kompletojë 11-shen startuese të Vllaznisë. Kështu, me një formacion të balancuar në të gjitha repartet dhe me synimin e qartë për të marrë maksimumin nga kjo transfertë, Vllaznia shpreson të dalë me tri pikë të plota nga Vlora. Një sfidë që pritet të jetë e fortë, por ku kuqeblutë besojnë se cilësia dhe momenti pozitiv i skuadrës mund të bëjnë diferencën.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













