Vllaznia bashkon forcat për ngjitjen, “yjet” e elitës në ndihmë të ekipit B
Pushimi i kampionatit në Kategorinë Superiore këtë fundjavë, për shkak të angazhimit të kombëtares së Shqipëria, pritet të shfrytëzohet në mënyrën më efikase nga Vllaznia Shkodër.

Klubi shkodran synon të “zbresë” disa nga lojtarët e ekipit të parë për t’i dhënë një shtysë të rëndësishme skuadrës së dytë, në një moment vendimtar të sezonit. Ndërkohë që elita e futbollit shqiptar ndalet përkohësisht, gara vijon me ritme të plota në Kategorinë e Tretë, aty ku rivaliteti për vendet e para është më i fortë se kurrë. Të shtunën, vëmendja do të përqendrohet te supersfida mes Dinamo B dhe Vllaznia B, një duel që tashmë ka marrë trajtat e një finaleje për ngjitjen në një kategori më lart. Dy skuadrat janë në luftë të drejtpërdrejtë për kreun dhe çdo pikë në këtë fazë të kampionatit ka peshë vendimtare.
Për shkodranët, një fitore në këtë përballje do të hapte realisht rrugën drejt një ngjitjeje direkte në Kategorinë e Dytë, duke e kthyer këtë takim në një nga më të rëndësishmit e sezonit. Në këtë kontekst, drejtuesit e klubit kanë vendosur të shfrytëzojnë maksimalisht burimet njerëzore që kanë në dispozicion. Ekipi i parë pritet të vihet në shërbim të skuadrës B, e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi. Disa futbollistë me eksperiencë nga Superiorja mund të zbresin në fushë për të bërë diferencën në një sfidë kaq delikate. Nuk do të ishte hera e parë që ndodh diçka e tillë.
Në ndeshjet e mëparshme, lojtarë si Tafili, Ara, Kubazi apo Pusi kanë marrë minuta me ekipin e dytë, duke rezultuar shpesh vendimtarë me paraqitjet e tyre. Prania e tyre ka sjellë më shumë siguri dhe cilësi në lojën e Vllaznia B, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet pozitive.
Edhe këtë herë pritet që lista të zgjerohet me emra të tjerë nga ekipi i parë, duke e bërë Vllaznia B një skuadër edhe më konkurruese përballë një rivali të fortë si Dinamo B. Sfida e së shtunës premton emocione të mëdha dhe mund të rezultojë vendimtare për fatet e sezonit, ndërsa kuqeblutë synojnë të hedhin një hap të madh drejt rikthimit në kategoritë më të larta të futbollit shqiptar.
E.ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













