Vlerësimet për revolucionin e verës, Vllaznia nuk “qëlloi” në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2025 | 9:46

Vlerësimet për revolucionin e verës, Vllaznia nuk “qëlloi” në merkato

Ekipi i Vllaznisë bëri një “revolucion” të vërtetë në merkaton verore, ku largoi shumë futbollistë, për të afruar 8 të tjerë në radhët e kuqebluve. Por në një moment ku po vjen fundi i sezonit dhe bëhen disa “llogari”, tregohet se merkatoja dhe afrimet e shkodranëve nuk kanë qenë të “qëlluara”.

Screenshot 2025-04-11 094524

Kjo pasi nga të afruarit në merkaton verore apo edhe atë dimërore, vetëm dy futbollistë kanë arritur të shndërrohen në titullarë me 9 herë kampionët e vendit. Duke nisur nga të afruarit në verë, ku përjashto Erdenis Gurishtën, që është “djali i shtëpisë”, vetëm Bajrami dhe Deliu po arrijnë të “rezistojnë” në formacionin e Brdariç.

Emra si Matouti dhe Podrimcaku që u afruan në verë, ishin një dështim absolut, pasi të dy futbollsitët u larguan nga Shkodra ende pa u mbyllur muaji dhjetor i vitit të shkuar. Por edhe futbollistë që u afruan nga Superiorja, si Kahrimanoviç dhe Qato, nuk arritën të mbanin ritmin e një ekipi që pretendon. Pavarësisht se Qato ishte protagonist në pjesën e parë të sezonit, edhe kuçovari e humbi vendin e tij në formacionin shkodran.

Të vetmit që “shpëtojnë” nga të afruarit në verë, janë Deliu dhe Bajrami. Si mesfushori dhe mbrojtësi kanë pasur një ritëm mbi mesataren. Pavarësisht se edhe ata kanë pasur luhatjet e tyre gjatë edicionit, momentalisht janë pjesë e formacionit kuqeblu. E ndërsa për Tafilin nuk mund të bëhet një analizë e mirëfilltë, duke qenë se minutat kanë qenë shumë të pakta për shkodranin.

Megjithatë, edhe të afruarit në merkaton dimërore, si Mensah dhe Repaj, kanë pasur vështirësi të “çajnë” te kuqeblutë. Të dy futbollistët, përveçse kanë pasur probleme të vazhdueshme fizike, nuk janë preferuar edhe aq shumë nga Brdariç, që vërteton se merkatoja e sesioneve të fundit në verë dhe dimër për Vllazninë nuk ka rezultuar e “qëlluar”, me shumë pak futbollistë të afruar gjatë kësaj periudhe që kanë arritur të jenë protagonistë me shkodranët.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL