VËZHGIMI I “PANORAMA SPORT”/ Partizani humbet 30% të vlerës në treg (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2025 | 22:18

VËZHGIMI I “PANORAMA SPORT”/ Partizani humbet 30% të vlerës në treg (E PLOTË)

Partizani ka kaluar trancizion në një vit ku ka mbushur arkën me shitjen e lojtarëve. Shumat e përfituara e vendosin në krye të klubeve të Superiores.

partizani

Megjithatë, largimet kanë lënë shenjën e tyre. Vëzhgimi i “Panorama Sport”, nga data 1 korrik 2024 deri më 1 korrik 2025, tregon se Partizani ka humbur 30% të vlerës së mëparshme në treg, edhe pse nga fillimi i korrikut të kaluar janë ende 15 lojtarë që llogariteshin me ekipin e parë. Nga tabela e ndërtuar, bëhet fjalë për 13 lojtarë të rinj.

Një pjesë të peshës tani e kanë të afruarit nga akademia. Malaj, Çipi, Atanaskoski, Martinez, Vata, Shanaj, Shala, Gudjufi, Garsia, Skuka, Isgandarli, Himallari, Qokthi nuk ishin pjesë e ekipit të parë të Partizanit 1 vit më parë.

VLERA- Kontingjenti i Partizanit aktual vlerësohet rreth 4.6 milionë euro nga “Transfermarkt”. Vlera mesatare për një futbollist përkthehet kështu në 165 mijë euro.

Pjesë e tabelës së ndërtuar nga “Panorama Sport” janë lojtarët që morën pjesën në Ohër, por edhe Bintsuka që rinovoi apo Shala, Ismaili dhe Janjeva që vazhdojnë të dëmtuar. Më thjesht, janë 28 lojtarë që po llogariten aktualisht për ekipin e parë. Mbetet për t’u vendosur në vijim se cilët prej tyre do të humbasin turin e parë të Ligës së Konferencës.445

KRAHASIMI- Partizani ishte klubi më i vlerësuar i Superiores, më 1 korrik 2024. Vlera në treg ishte plot 6.9 milionë euro, thënë ndryshe me diferencë të dukshme nga pjesa tjetër. Vetëm Maget vlerësohej 1 milion euro asokohe. Ekipi zhgënjeu në korrikun e kaluar, pasi nuk kaloi Iberian në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Rënia e vlerës nën 5 milionë euro tani te Partizani është më e ulëta prej kohësh. Megjithatë merkato qëndron aktive për të kuqtë, që po përpiqen të ndërtojnë ekip sa më solid.

LARGIMET- Lojtarët që mbyllën sezonin dhe u larguan nga Partizani, janë shtatë. Vlera e tyre në total është 1.125 milionë euro. Eleke, Domgjoni, Podstrelov, Vujnoviç, Taipi, Osmanllari dhe Mintongo janë futbollistët që bashkë kapin këtë vlerë.

AFRIMET- Katër janë afrimet e kësaj merkato. Bëhet fjalë për Skukën, Garsian, Martinezin dhe Isgandarlin. Futbollistët në fjalë kapin të gjithë vlerën 800 mijë euro. Përsa u përket afrimeve, Partizani nuk ka preferuar tregun vendës.

Në këtë mënyrë janë transferuar futbollistë me eksperienca ndërkombëtare. Vlerësimet e Transfermarkt”, sipas çdo kampionati, vijnë nga persona të ndryshëm. Kështu edhe metri i vlerësimit nuk është i njëjti.

MË TË VLERËSUARIT- Marçelino Preka, me shifrën 450 mijë euro në treg, është më i vlerësuari i Partizanit. Kapiteni, vetëm 21-vjeç, premton shumë për të ardhmen. Pas tij qëndron një tjetër talent, Gjergji Kote. Ky i fundit vlerësohet 350 mijë euro dhe shpesh konsiderohet si “xhevahir”.

Tre lojtarë të tjerë qëndrojnë me shumën 300 mijë euro, mbi të tjerët. Bëhet fjalë për Sembenen, Bintsukën dhe portierin Qirko. Të pestë lojtarët e përmendur më sipër mund të konsiderohen të paprekshëm në këtë moment.

E ARDHMJA- Malaj, Himallari dhe Vata janë pjesë e listës me vetëm 50 mijë euro. Kjo shifër i përket vlerësimit të Malajt.

Bashkë pritet të fitojnë rritje të konsiderueshme në vazhdim, pasi vlerësohen si e ardhmja. Fokus i madh te Partizani është te lojtarët që kanë luajtur në akademi, duke spikatur me grupmoshat e tyre.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL