Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Goditjet, siguria dhe fati, çfarë lëvizi te Partizani
Partizani pati fillimin më të errët, që prej rikthimit në Superiore. Me vetëm 4 pikë në gjashtë javët e para, të kuqtë shfaqeshin jashtë objektivave.
Shkarkimi i Mladen Milinkoviç ishte i pritur, ndërsa dilema e madhe mbetej se cilit do t’i besohej përgjegjësia e ekipit të parë. Te Partizani nuk u bindën për asnjë jashtë familjes së kuqe, duke qenë se edhe koha nuk premtonte. Për këtë zgjodhën Oltijon Kërnajën, i cili kishte korrur vetëm fitore me ekipin B. Kjo zgjedhje e presidencës ishte surprizë dhe fillimisht u prit me mjaft pesimizëm. Koha tregon se Partizani, pavarësisht mungesave që nuk i ndahen, ka ndryshuar fytyrë në fushën e blertë.
NDRYSHIMI- Partizani mund të llogaritet me dy periudha për këtë sezon, deri në javën e gjashtë dhe pas javës së gjashtë. Ndryshimi është i dukshëm, jo vetëm sa u përket pikëve të grumbulluara. Partizani i Milinkoviç ishte me mesataren 0.66 pikë për ndeshje, ndërsa mesatarja e Kërnajës është 1.9 pikë për ndeshje. Një shifër që në Superiore e mbajnë pretendentët. Interesant është ndryshimi i golavarazhit dhe rregullimi i shifrave në prapavijë. Vetëm tre gola festonte Milinkoviç te Partizani, ndërsa ekipi i tij pësonte plot 11 të tillë në gjashtë javë. Me Kërnajën çdo gjë është ndryshe. Qirko është mposhtur gjashtë herë në dhjetë javë, ndërsa në këtë kohë janë shënuar dhjetë gola.
MENTALITETI- Te Partizani është rikthyer një periudhë rezultatesh, që mungonte prej një viti ku ekipin e drejtonte Aleksandar Veselinoviç. Deri në tetorin e 2025-ës, çdo gjë thuajse ishte e errët në kampionat. Më pas ndryshimi i më shumë se dy muajve të fundit është i dukshëm. Partizani i dhjetë javëve të Kërnajës numëron vetëm një humbje në fushën e blertë. Ishte pikërisht ajo në derbin me Dinamon në “Elbasan Arena”. Për më tepër tashmë bëhet fjalë për tri fitore radhazi. Diçka e tillë nuk ndodhte në Superiore për Partizanin, që nga muaji i vitit 2024 me Orges Shehin në krye.
TENTATIVAT– Partizani ka rregulluar disa statistika, ndërsa flitet edhe për tentativat. Numri i tyre nuk është akoma më i miri i mundshëm, megjithatë të kuqtë provojnë më tepër me Kërnajën. Ndryshe nga koha, kur drejtonte Milinkoviç. Për gjashtë javët e para, Partizani pati 38 goditje të regjistruara ku 19 shkuan drejt portës. Në dhjetë javët e tjera janë 80 goditje, ndërsa bëhet fjalë për 35 prej tyre në portë. Shifrat mbeten shqetësuese, pasi Partizani zhgënjen përballë rivalëve. Plot 53 goditje janë regjistruar nga rivalët ndaj Partizanit në javët e para, teksa 32 prej tyre shkuan në portë. Gjatë kohës që drejton Kërnaja, rivalët numërojnë 80 goditje ku 30 prej tyre përfunduan drejt portës.
KRAHASIMI- Partizani i Kërnajës është në balancë, sa u përket goditjeve të tentuara vetë dhe nga kundërshtarët. Kjo pasi vërehet shifra 80. Ndryshe nga 30 prej tyre që kanë përfunduar drejt portës nga rivalët, Partizani numëron 35 tentativa të tij. Golat janë indikues, që të kuqtë janë treguar më efektiv. Ndryshe nga gjashtë golat e pësuar, dhjetë të tjerë janë shënuar.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













