Tjetër “firo” kuqezi! Anësori i sulmit i jep lamtumirën Shqipërisë pasi shkoi me të në Europian, zgjedh një përfaqësuese tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2025 | 22:14

Tjetër “firo” kuqezi! Anësori i sulmit i jep lamtumirën Shqipërisë pasi shkoi me të në Europian, zgjedh një përfaqësuese tjetër

Adrian Bajrami duket se i ka hapur rrugën një eksodi të mirëfilltë nga ekipet kombëtare shqiptare, pasi tashmë ka edhe futbollistë të tjerë që po largohen nga ngjyrat kuqezi. Zgjedhjet e trajnerit, mospërfshirja në planet si protagonist apo thjesht një projekt më i rëndësishëm sportiv, kanë bërë që një tjetër futbollist kuqezi të largohet nga Shqipëria për një përfaqësuese tjetër.

leon myrtaj

Këtë radhë, bëhet fjalë për anësorin e talentuar të sulmit, Leon Myrtaj, i cili ka vendosur të braktisë ngjyrat kuqezi për t’iu bashkuar Hungarisë, nga ka origjinën e ëma. Një histori paksa e ngjashme me atë të Bajramit, pasi Myrtaj ka qenë pjesë e grumbullimeve kuqezi, por nuk është ndjerë me sa duket pjesë e planeve të rëndësishme në përfaqësueset e moshave.

Djaloshi, i cili është pjesë e akademisë së Totenhemit, në të kaluarën ka qenë pjesë e Kombëtares U17 të drejtuar nga Andrea Tedesko, ku nuk shihej si titullar. Ai u grumbullua për Kampionatin Europian që u zhvillua në vendin tonë, por në të tre ndeshjet u aktivizua vetëm pak minuta nga trajneri italian i cili u shkarkua në mbyllje të edicionit për rezultatet skandaloze me kuqezinjtë.

Me sa duket, dëmi është bërë, pasi djaloshi shqiptar, tashmë ka zgjedhur që të përfaqësojë Hungarinë duke iu përgjigjur ftesës së përfaqësueses U19 të saj, e cila luan një miqësore ndaj Greqisë në tetor. Një tjetër sinjal i qartë se ka diçka që nuk shkon në mënyrën se si po trajtohen futbollistët e grumbulluar në ekipet kombëtare të Shqipërisë dhe se arratisja e talenteve po kthehet në një trend që rrezikon seriozisht të ardhmen e saj.

E.KUKA – PANORAMASPORT.AL