Tirana nuk dha atë që pritej, dështoi edhe projekti “low cost”
Projekti i Tiranës “low cost” dështoi, ashtu siç dështoi edhe kampionatin e shkuar me skuadrën që kishte superbuxhet. Edhe këtë vit filozofia e zgjedhur nga klubi për të ulur shpenzimet dhe ndërtuar një ekip nga e para duket se nuk dha rezultat.

Dështimi ishte total dhe mund të jetë edhe më i rëndë nëse skuadra bie një kategori më poshtë. Bardheblutë duket se gabuan, teksa bënë një skuadër sa për të kaluar radhën, pasi ikja e futbollistëve kampionë dhe atyre që ishin baza e sezonit të shkuar solli tronditje të madhe. Janë mbi 20 lojtarë, të cilët u afruan në qershor-janar, që e bënë të kryer dështimin, pasi atyre u duhet kohë të ambientohen. Gabimet janë të mëdha, me futbollistë që nuk qëndruan as pesë muaj, si Aran Isuf e ndonjë tjetër.
Tirana largoi edhe djemtë e akademisë, ndërsa grupi nuk kishte ekuilibër mes reparteve. Katër portierë, shumë sulmues, pak mbrojtës dhe mesfushorë. Problemi tjetër ishte cilësia e lojtarëve të ardhur. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë vendimtar apo lider. Zharmuni ka shënuar 13 gola, por jo në takime vendimtare. Ernest erdhi vonë dhe vetëm ai mund të ishte pak më ndryshe se të tjerët. Mbrojtja ka pasur probleme, paçka dyshes KolaDembele, pasi pëson shumë gola. Te sulmuesit e tjerë nuk ka vazhdimësi, veç Ndrecës.
TRAJNERËT – Një tjetër problem i Tiranës këtë sezon ka qenë ndryshimi i trajnerëve. Sezonin e nisi Bledi Shkëmbi, i cili ndërtoi skuadrën. Pas javës së 12-të ishte Gugash Magani, që drejtoi grupin bardheblu. Gashi dha dorëheqjen pas Egnatias.
Më pas erdhi sërish Shkëmbi, por gjërat nuk është se shkuan mbarë. Të njëjtat probleme në skuadër. Grupi është i papjekur dhe në këto kushte nuk mund të bënte më shumë. Thënë të gjitha këto, ideja e Tiranës për të bërë një skuadër të lirë dështoi.
Drejtuesit e kuptuan në dhjetor, por ishte vonë, sepse ndërhyrjet me Ernest, Verën, Rafaelin dhe Smaçin ndryshuan grupin, por jo për të siguruar pikët që u duheshin bardhebluve. Tani presidenti Refik Halili duhet të mendojë se çfarë Tirane do të jetë ajo e sezonit të ardhshëm. Me lojtarë të rinj apo do të mbajë këtë grup futbollistësh dhe me përforcime të vogla të meremetojë 11-shen…
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













