Tirana lëshon sulmuesin francez: Gjej ekip për t’u shitur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2025 | 23:00

Tirana lëshon sulmuesin francez: Gjej ekip për t’u shitur

Tirana i ka hapur rrugë Ualid Zharmunit. Drejtuesit e bardhebluve i kanë dhënë leje francezit që nga tani e në vazhdim së bashku me menaxherët të gjejë klubin ku do të luajë.

zharmuni

Shkurt, Tirana është lodhur me kapriçot e sulmuesit, kërkesat e tij për transferimin, rrogën që do të fitojë, dhe në këto kushte i ka dhënë mundësinë që ta gjejë vetë ekipin dhe t’i japë Tiranës shumën që kërkon për kartonin e tij. Me këtë lëvizje, bardheblutë i kanë bërë dalje golashënuesit të skuadrës, cili gjatë gjithë sezonit të shkuar pati goxha ulje-ngritje si në lojë, dhe sjellje.

FRANCEZI – Gjatë këtyre ditëve, Ualid Zharmuni ka refuzuar një ofertë nga Rusia. Më saktë ka qenë skuadra e FC Soçit që militon në Kategorinë e Parë, e cila ka dashur të blejë francezin për rreth 350 mijë euro. Në fillim, Zharmuni ka thënë “po”, ndërsa më pas është tërhequr, pikërisht në momentin e firmës. Më pas një skuadër tjetër i ka ofruar Tiranës, çmimin që kërkonte, por lojtari ka kërkuar edhe 250 mijë euro rrogë në vit, çka është konsideruar e tepërt nga klubi në fjalë. Klubi Tirana ka edhe një ofertë nga Suedia dhe Hajduku i Splitit. 25-vjeçari ishte golashënuesi kryesor i Tiranës, ndërsa “Panorama Sport” mëson se klubi kroat ka shfaqur interes për shërbimet e tij.

Më saktë, palët kanë mbyllur në parim transferimin në Kroaci. Gjithsesi, ende nuk ka një vendim final. Te bardheblutë nuk donin ta shisnin sulmuesin pa të paktën 400-450 mijë euro dhe kjo kishte bllokuar një lëvizje të tij në një skuadër tjetër, por duket se 26 herë kampionët janë dorëzuar dhe do ta lëshojnë për 200-300 mijë euro. Francezi shënoi 13 gola në kampionat, ku dhe asistoi dy të tjerë. Vlera në “Transfermarkt” e Zharmunit është 450 mijë euro, shifër kjo që është më e larta në skuadrën e kryeqytetasve. Më parë, francezi ka spikatur me golat e tij te Progres Niederkorn në Luksemburg. Karriera e tij ndërkohë ka filluar në Francë, ku luajti rreth 5 vite. Edhe Mahamadu Dembele kërkohet në Austri, Turqi, si dhe ka interesim nga skuadrat skandinave. Vlera e Dembelesë shkon në 250 mijë euro.

SULMUESIT – Te Tirana ka pasur një mori lojtarësh, por dy janë ata që kanë shënuar më shumë. Bëhet fjalë për Ualid Zharmunin dhe Akileu Ndrecën. Të dy kanë 21 gola, 13 dhe 8 respektivisht. Më pas, Ernest, Bajroviç, Ismajli e me radhë. Skuadra ka pasur disa lojtarë që kanë tundur rrjetën në këtë kampionat, por që nuk kanë kaluar numrin 3. Bardheblutë, gjithashtu kanë qenë edhe një nga sulmet më të mira të Kategorisë Superiore, por edhe nga mbrojtjet më të këqija.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL