Supersfida spanjolle dhe kampionët në “tempullin e futbollit”, Liga e Kampioneve mëson sot dy gjysmëfinalistët e parë
Liga e Kampioneve do të mësojë sot emrat e dy gjysmëfinalistëve të parë të turneut, pasi nisin ndeshjet e kthimit të turit çerekfinal të turneut. Në orën 21:00 do të luhen dy ndeshje të ethshme, ku gjithçka mund të ndodhë, edhe pse në sfidat e para fitoret kanë qenë me rezultatin e pastër 2-0.

Atletiko Madrid ka në favor avantazhin e dy golave ndaj Barcelonës, por edhe të fushës, pasi ia doli të fitonte në transfertë përballë katalanasve në javën e kaluar. Por ekipi i Flik është padyshim një prej skuadrave që ka forcën për të fituar kudo dhe bërë një përmbysje, ndaj çdo gjë duket e hapur në “Metropolitano”.
Sfida tjetër sheh në fushë PSG-në, që do të përpiqet të mbrojë vendin në katërshe pas suksesit 2-0 në sfidën e parë ndaj Liverpulit, një sfidë që e dominoi nga fillimi deri në fund dhe që mund të kishte përfunduar me rezultat edhe më të thellë. Por në “Anfield” gjërat mund të jenë ndryshe, në një stadium që jo rastësisht cilësohet si një nga më të zjarrtët në panoramën e futbollit botëror.
PANORAMASPORT.AL













