Superiorja si ëndërr, Tatanjelo: Fitore që na jep besim, Iliria qëndron me “këmbë në tokë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2026 | 13:15

Superiorja si ëndërr, Tatanjelo: Fitore që na jep besim, Iliria qëndron me “këmbë në tokë”

Iliria arriti një fitore minimale, por me shumë vlera në derbin ndaj Kastriotit, sukses që i “blindon” fushëkrujasit në zonën “play off”. Trajneri argjentinas i Ilirisë, Matias Tatanjelo, i cili drejton skuadrën që nga fillimi i këtij viti, u shfaq i lumtur për triumfin e ekipit të tij në një ndeshje me shumë emocione. I shoqëruar si zakonisht edhe nga bashkëshortja, tekniku dha një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, ku analizoi fitoren dhe objektivat e skuadrës.

trajneri tatanjelo dhe drejtueist e Ilirise

Tekniku argjentinas theksoi se është ende herët për të folur për “play off”-in, pasi kjo është një fazë tjetër e kampionatit që kërkon përqendrim maksimal. Trajneri 40-vjeçar, me një përvojë prej rreth pesë vitesh në stol dhe dy sezone në Shqipëri, ka drejtuar Ilirinë në 9 ndeshje dhe më parë Apoloninë në 5 takime, duke synuar të vazhdojë ecurinë pozitive edhe në javët e mbetura të sezonit.

Si e komentoni këtë sukses në derbin e Krujës?

“Ishte një ndeshje e bukur dhe shumë e rëndësishme për ne. Kur përballen dy skuadra në një derbi, emocionet janë të mëdha dhe presioni është i lartë. E rëndësishme është që ne arritëm të fitonim sërish në shtëpi dhe të ruajmë vendin e katërt në renditje”, u shpreh fillimisht Tatangelo.

Sa e rëndësishme ishte kjo fitore për Ilirinë?

“Ishin tre pikë që na forcojnë shumë në objektivat tona. Të jesh në katërshen e parë është diçka e rëndësishme për një skuadër debutuese, që rikthehet në këtë kategori pas shumë vitesh. Dominuam plotësisht pjesën e parë dhe arritëm te goli me pak fat. Në pjesën e dytë u përqendruam më shumë te menaxhimi i rezultatit sesa te rrezikimi për të shënuar sërish. Mënyra se si djemtë e administruan ndeshjen tregoi pjekurinë e grupit, i cili prej disa javësh po paraqitet mirë dhe po merr rezultate pozitive. Kastrioti është një ekip i fortë, luftoi shumë për të barazuar, por mbrojtja jonë ishte e organizuar dhe nuk lejoi hapësira.”

A shtohen ambiciet për ngjitjen në Superiore, duke qenë se “play off”-i luhet me ndeshje teke?

“Për momentin nuk mendojmë për këtë. Jemi të fokusuar vetëm te kampionati. Në fund të tij do të shohim se ku do të pozicionohemi dhe më pas do të mendojmë për hapat e tjerë. Kemi marrë çdo ndeshje me radhë dhe çdo kundërshtar e bën sfidën të vështirë. Objektivi ynë i dytë është të qëndrojmë në zonën ‘play off’ dhe pse jo të synojmë më lart, por duhet të ecim hap pas hapi. Kur të vijë momenti i duhur, do të shprehim qartë objektivat tona. Kam shumë besim te lojtarët e mi. Janë djem punëtorë dhe më bëjnë më të lehtë detyrën time si trajner.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL