Statistikat e Gjermani-Portugali/ Bilanci me luzitanët, “pancerat” fitojnë atëherë kur iu duhet!
Kombëtarja gjermane do të përballet me Portugalinë për herë të 20-të sonte në mbrëmje në Mynih.
Të dyja kombëtaret janë takuar shtatë herë në ndeshje në fazën finale të një kompeticioni. Pas takimeve në finalet e Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian, kjo është përballja e tyre e parë në Ligën e Kombeve. Federata Gjermane e Futbollit ka bërë një analizë të këtyre përballjeve mes dy kombëtareve.
EURO 1984 – Përballja e parë në një turne final ishte në vitin 1984. Dy ekipet luajtën ndeshjen hapëse të Kampionatit Evropian, një privilegj i kampionëve në fuqi (Gjermania) dhe për fat të keq një barazim zhgënjyes 0-0.
EURO 2000 – Zhgënjimi në kampin gjerman ishte edhe më i madh 16 vjet më vonë kur Portugalia, e cila tashmë ishte kualifikuar për në çerekfinale, fitoi 3-0 me një ekip B!
BOTËRORI 2006 – Gjermania mundi për herë të parë në një turne madhor Portugalinë dhe kjo ndodhi në Shtutgart, në një ndeshje për vendin e tretë. Një fitore 3-1 si ngushëllim për eliminimin nga Italia.
EURO 2008 – Ndeshja e parë drejt finales në Kampionatin Evropian 2008 ishte kundër portugezëve. Tifozët gjermanë e kujtojnë me nostalgji. Në çerekfinale në Bazel, njëmbëdhjetëshja e Lëv luajti ndeshjen më të mirë të turneut, duke fituar 3-2.
EURO 2012 – Në Lviv do të vinte suksesi i radhës i Gjermanisë kundër Portugalisë. Në një ndeshje jo shumë tërheqëse, gjermanët fituan 1-0 falë Mario Gomez.
BOTËRORI 2016 – Në fillim të turneut, Portugalia, e udhëhequr nga Ronaldo, priste Gjermaninë pa Bastian Shvajnshtajger. Ndeshja hapëse u shndërrua në një festival të Tomas Myler, që kontribuoi me tre gola në fitoren 4-0 të Gjermanisë.
EURO 2020 (2021) – Stadiumi ku do të luhet ndeshja e sotme ishte gjithashtu vendi i ndeshjes së fundit ndërkombëtare deri më sot, kundër Portugalisë. Gjermania regjistroi një tjetër fitore mbresëlënëse kundër Portugalisë, duke e shkatërruar 4-2.
PANORAMASPORT.AL













