Sprinti final, a është ky momenti i Partizanit? Mes presionit dhe besimit, të kuqtë nisin javët vendimtare
Sprinti final i kampionatit ka nisur dhe pas rikthimit në aktivitet nga kjo pauzë e kombëtareve, çdo ndeshje në Superiore do të jetë një finale më vete dhe do të përjetohet si e tillë, ku fitoret dhe disfatat do të përjetohen me emocione të dyfishta.
Aktualisht, Partizani ndodhet pikërisht aty ku çdo skuadër dëshiron të jetë në këtë fazë të sezonit: në garë të plotë për objektivat. Me 44 pikë dhe vendin e katërt në renditje, të kuqtë mbajnë të hapur dy objektiva madhorë, pjesëmarrjen në Europë dhe ëndrrën e titullit kampion, teksa formula e këtij sezoni ia lejon të besojë dhe shpresojë. Diferencat me kreun nuk janë të pakapërcyeshme dhe kalendari ofron përballje direkte që mund të ndryshojnë gjithçka brenda pak javësh për “Demat e Kuq”.
RRUGËTIMI – Ky sezon nuk ka qenë një rrugëtim i qetë për Partizanin. Ka pasur luhatje, momente pasigurie dhe rezultate që kanë ndezur diskutime, duke vendosur në dyshim rrugëtimin e ekipit. Në një klub me histori dhe pritshmëri të larta, çdo hap analizohet në detaj. Por, pikërisht në momentet më të vështira duket karakteri i një skuadre që pretendon të jetë protagoniste. Në javët e fundit, sidomos përgatë fazës së tretë, Partizani ka shfaqur më shumë balancë. Reparti defensiv u stabilizua, edhe pse në dy takimet e fundit janë pësuar katër gola, faza e tretë tregoi se me përqendrim, edhe mbrojtja di si të shndërrohet në një “digë”. Skuadra ka mësuar të menaxhojë më mirë avantazhin, ndërsa di po ashtu të reagojë më së miri kur është në disavantazh.
ALTERNATIVAT – Mesfusha ka fituar intensitet dhe agresivitet, sidomos me prurjet e merkatos së janarit si Kamer Qaka dhe një njohje të vjetër si Valentino Murataj, pa harruar rikthimin nga dëmtimi të Arafat Dumbia që mund të konsiderohet si një blerje e re. Sa i takon sulmit, aty alternativat janë shtuar me një lojtar me shumë kualitet si Seku Sidibe që është bërë menjëherë pjesë e skuadrës, pavarësisht se iu bashkua skuadrës vetëm në muajin janar. Reparti ofensiv nuk ka varësi nga një individ i vetëm, por ka përgjegjësi të shpërndara në grup, pasi Isgandarli, Skuka, Sidibe, por edhe Toma e Kontreras nga linja e dytë, dinë të bëhen të rëndësishëm për kryeqytetasit. Këto alternativa kanë bërë që të rritet ndjeshëm konkurrenca, një konkurrencë mjaft e shëndetshme që ka sjellë energji të re. Futbollistët me eksperiencë kanë marrë rolin e liderëve, duke udhëhequr edhe në momente të vështira. Kjo ka krijuar një identitet më të qartë loje, teksa skuadra e trajnerit Oltijon Kërnaja ka treguar shumë karakter në fushën e blertë. Megjithatë, për të pasur sukses në këtë sprint final të sezonit, do të duhen një sërë komponentësh.
MOMENTI VENDIMTAR – Pikë së pari, ekipi duhet të shfaqet i qetë dhe i aftë për të përballuar presionin që mbartin ndeshjet finale. Partizani ka dhënë sinjale pozitive në këtë drejtim. Reagimi pas ndeshjeve të vështira ka qenë i menjëhershëm dhe skuadra nuk është shpërbërë në momentet e presionit. Ky është tregues i një grupi që beson te forcat e veta dhe që mund të arrijë shumë. Por, presioni është i pashmangshëm, sidomos në një ambient si ai te Partizani, ku kërkohet gjithnjë maksimumi nga tifozët. Historia e klubit nuk lejon hapa pas. Por në të njëjtën kohë, kjo peshë mund të shndërrohet në motivim për të udhëtuar gjithnjë me “marshin e pestë”. Europa duket objektivi minimal dhe real. Por brenda skuadrës askush nuk flet për minimumin. Titulli është aty, matematikisht i arritshëm, sidomos falë formulës. Një seri prej tre apo katër fitoresh radhazi, ashtu si në fazën e tretë, mund të ndryshojë krejt panoramën, madje ndeshjet vendimtare nisin që këtë fundjavë, kur të kuqtë përballen me Vllazninë e më pas ndeshja e radhës ndaj Elbasanit. Dy rivalë direkt për të treguar forcën e vërtetë të Partizanit. Gjithsesi, Partizani duhet të shohë para së gjithash veten. Përqendrimi ndaj çdo kundërshtari është thelbësor, pasi në këtë fazë nuk ka ndeshje të lehta. Gabimet kushtojnë dyfish dhe menaxhimi i detajeve bëhet vendimtar. Disiplina taktike, menaxhimi i presionit dhe efikasiteti para portës do të jenë çelësi që në fund mund të hapë një portë që në fillim të sezonit ishte e padukshme.
ENERGJITË – Një tjetër faktor është gjendja fizike. Sezoni ka qenë i gjatë dhe energjitë duhet të menaxhohen me kujdes. Në fakt, dy ndeshjet e para të fazës së katërt treguan një limit për Partizanin, ku sidomos në ndeshjen ndaj Vorës, lodhja u ndje jo pak. Gjithsesi, pauza erdhi në momentin e duhur për kryeqytetasit dhe organika pas kësaj pauze duket se do të jetë më e plotë se kurrë më parë, me muskuj të relaksuar e të freskët. Alternativat në organikë përbëjnë një avantazh që duhet shfrytëzuar, teksa sidomos në një repart thelbësor si mesfusha, alternativat nuk shterojnë, e po ashtu edhe në sulm trajneri Kërnaja ka goxha opsione. A është ky momenti i Partizanit? Shifrat tregojnë se po. Forma aktuale e skuadrës jep arsye për optimizëm, pasi ekipi nuk njeh humbje në tetë ndeshjet e fundit të kampionatit, duke regjistruar pesë fitore dhe tre barazime, e përkthyer në pikë janë plot 18 pikë të grumbulluara në tetë sfidat e fundit. Psikologjia e grupit duket më e fortë se në fazat e mëparshme të sezonit dhe tani mbetet që kjo energji të përkthehet në pikë konkrete. Sprinti final është provë karakteri. Është momenti kur ndahen skuadrat që mjaftohen me pjesëmarrjen nga ato që luftojnë për trofe dhe lavdi. Partizani është ende në lojë për të dy objektivat, pjesëmarrje në Kupat e Europës si dhe titullin kampion.
ËNDRRA E TITULLIT – Nëse skuadra arrin të ruajë balancën, përqendrimin dhe urinë për fitore, atëherë 44 pikët aktuale mund të jenë vetëm nisja e një fundi sezoni që do të mbetet gjatë në kujtesë, sidomos për të gjitha vështirësitë e kaluara në fillimin e këtij sezoni. Javët në vijim do të tregojnë nëse ky është vërtet momenti i Partizanit. Por, një gjë është e sigurt, ashtu siç e thekson edhe trajneri Kërnaja, gjithçka është në dorën e vetë ekipit të tij. Pikët janë aty dhe te Partizani do të luajnë për të marrë maksimumin, duke nisur nga sfida e radhës ndaj Vllaznisë.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













