SPECIALE/ Nga rrjeta e liqenit te dominimi në sportin e rrjetës, Pogradeci “peshkoi”… tripletën
Vetëm pak ditë më parë volejbolli shqiptar uli siparin e sezonit 2025-2026 me mbylljen e finaleve “play off”, një edicion që përfundoi nën shenjën e Pogradecit për femra dhe të Partizanit në radhët e meshkujve.
Por, nëse të kuqtë janë një ekip i mësuar me tituj, suksesi për ekipin e qytetit liqenor konsiderohet historik. Për herë të parë “rrjeta e peshkimit” nxori 3 trofe nga gjoli dhe bëhet fjalë për kupat më të rëndësishme të edicionit 2025-2026 volejboll.
Sigurisht, goditja e madhe ishte fitimi i titullit kampion, një sukses i jashtëzakonshëm nga vajzat liqenore të trajnerit shkodran Besnik Lisha. Një arritje e gatuar me projekt ambicioz, me mbështetje nga bashkia dhe sponsorët si dhe me një punë kolosale të skuadrës, javë pas javë, me një përmirësim konstant në parket, me lojtare të rëndësishme shqiptare dhe me të huaja kualitative.
Pas kampionatit të rregullt, të mbyllur në vend të parë me të gjitha fitore, Pogradeci u konfirmuar edhe në provën e zjarrit, duke kaluar në “play off” fillimisht derbin juglindor kundër Skënderbeut në gjysmëfinale dhe më pas Tiranën në finale. Pikërisht kundër bardhebluve ishte edhe momenti më i vështirë, me liqenoret që pësuan edhe dy humbjet e vetme sezonale, duke e parë veten në disavantazh ndeshjesh dy herë. Por, në momentin më kritik doli në pah karakteri dhe forca e skuadrës, teksa me dy fitore të pastra në Farkë dhe më pas në shtëpi në finalen e pestë, vajzat liqenore e mbyllën serinë 3-2, duke i dhuruar festë një qyteti të tërë.
Një gëzim i shfrenuar dhe i merituar në sallën “Arefi Berberi” të mbushur mbi kapacitetin e saj. Titulli ishte “torta” e sezonit, por nuk ishte arritja e vetme, pasi më herët Pogradeci kishte ngritur lart edhe kompeticionin mbarëkombëtar, Ligën “Gjergj Kastrioti”, të cilin e fitoi pa pësuar asnjë humbje. Tetë fitore në po kaq ndeshje mes fazës së grupeve dhe asaj finale kurorëzuan me triumfin pogradecar kompeticionin e përbashkët me skuadra të Shqipërisë dhe Kosovës.
Më tej ishte radha për suksesin në Kupën e Shqipërisë, një tjetër event i mbyllur pa njohur asnjë humbje. Ndërsa, me titullin kompletohet një tripletë historike për Pogradecin, skuadër që tashmë ngjitet në piedestalin e sportit të rrjetës në vendin tonë. Me rastin e këtij sezoni historik, Bashkia Pogradec zhvilloi mbrëmjen e djeshme edhe një aktivitet në sallën e Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, një event i kushtuar posaçërisht këtij ekipi fantastik, ku dhe u bë prezantimi i tre trofeve para publikut pogradecar, ndërsa moto ishte: “Tre trofe, por ky është vetëm fillimi”, duke treguar qartë se në Pogradec objektivi është që të mbrohet froni.
PANORAMASPORT.AL













