Sopoti bind në testin e parë, merkato e hapur. Drejtori Xhafa premton edhe dy afrime
Sopoti ka shkëlqyer në miqësoren e zhvilluar javën e shkuar ndaj Tiranës B. Në testin e parë pas pushimeve, ekipi i drejtuar nga trajneri Rraman Hallaçi u shfaq në formën më të mirë të mundshme, duke dhënë sinjale pozitive për vazhdimin e sezonit.

Përshtypje të mira lanë edhe të rinjtë e afruar, Serxhio Tabaku, si dhe dy nigerianët Rahmani dhe Tofik, të cilët u integruan shpejt në skemat e lojës. Zhdërvjelltësia në aksionet e ndërtuara dhe harmonia mes lojtarëve po bindin gjithnjë e më shumë stafin teknik se skuadra nuk ka nevojë për “arnime” të shumta, por për vazhdimësi në punë dhe qëndrueshmëri në ecurinë pozitive. Drejtori teknik Fatjon Xhafa ka në mendje edhe dy afrime që i konsideron të domosdoshme, me qëllim që trajneri Hallaçi të ketë më shumë alternativa në dispozicion gjatë fazës së dytë të kampionatit.
“Po mundohem të sjell në ekip edhe dy lojtarë, të cilët i shohim të nevojshëm për të qenë të plotësuar në 100%. Një sulmues goli do t’i bashkohet nigerianit Aminu në repartin ofensiv, si dhe një mbrojtës që do të na jepte më shumë qetësi në prapavijë. Këto javë do të vendosim për alternativat që kemi në tavolinë dhe shumë shpejt do të mbyllim merkaton tonë”, u shpreh Xhafa.
LEDION QOSHKU- PANORAMASPORT.AL













