Situata te Flamurtari, Aliko: Ndaj Tiranës objektivi ishte barazimi, trajneri po e konsumon ekipin
Pajtim Aliko komenton zhvillimet më të fundit në futbollin shqiptar si dhe Flamurtarin. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ish-gjyqtari i njohur vlonjat është i mendimit se nuk duhet të tolerohen skuadrat që largohen nga fusha, por duhet të marrin dënim shembullor. Aliko foli edhe për Flamurtarin dhe gabimet që po bën Françesko Moriero.

Zoti Aliko, kanë ndodhur disa ngjarje së fundmi në futbollin shqiptar, Vora protestoi dhe iku në fusha, Skënderbeu me Krujën, Iliria me Korabin, Tirana…. Keni një koment për daljet nga fusha?
Zakonisht është bërë si normale që edhe për një faull të thjeshtë protestohet në këtë mënyrë. Mua nuk më pëlqejnë fare këto ndalesat që bëjnë skuadrat. Federata duhet që të marrë masa. Sipas rregullores kur ka ngjarje të mëdha duhet që të presësh 45 minuta.
Që të protestosh për një penallti dhe të dalësh nga fusha mua nuk më duket normale. Duhet që të marrin masa…Kjo u nis në ndeshjen mes Elbasanit dhe Tiranës. Aty u tolerua. Për mua nuk duhet të tolerohet në asnjë mënyrë. Komisioni i Disiplinës duhet të marrë masa nga më urgjentet.
Mendoni se nuk ka koordinim me VAR-in?
Rasti që po flasim…Ishte shumë flagrante ndërhyrja e lojtarit të Elbasanit. Duhet që të ndërhynte urgjent VARi se për këtë punë është, për këto ndërhyrje dhe për kartonin e kuq.
Çfarë duhet bërë të mos ndodhin më këto sjellje?
Nëse nuk do të futeshin në fushë ka masa shumë të rënda që mund të dalin edhe nga kategoria. Duke u bërë këtë presion ata futen prapë. Por duke mos u dënuar, që në rastin e parë me Tiranën dhe Elbasanin… Po të dënohej ajo në mënyrë shembullore nuk do ta bënin të tjerët. Por me vendosjen e gjobave dhe me kalimin kaq lehtë të këtyre situatave, fillojnë edhe ekipet e tjera pastaj. Gjyqtarët, vëzhguesi dhe delegati në ndeshje, duhet që të diskutojnë sa më shpejt që të mos i lënë të dalin nga fusha.
Ka qenë i dëmtuar Flamurtari nga gjykimi?
Unë them që Flamurtarit nuk i kanë rënë në qafë arbitrat gjatë këtij viti. Mund të ketë pasur ndonjë gjë të vogël, por ne jemi ndër ekipet që na kanë rënë më pak në qafë gjyqtarët.
Si të duket ky Flamurtar?
Ky Flamurtar mua nuk më ka pëlqyer që në javën e parë, asnjëherë! Përgatitja që është bërë që në fazën përgatitore, nuk ka qenë e plotë për mua, që nga përzgjedhja e lojtarëve, që nga përgatitja…Të gjithë lojtarët janë të huaj, trajneri i huaj.
Nuk bën një ndeshje miqësore që të shikonin si luajnë këta shqiptarët ore, dinë këta apo nuk dinë. Të bënim një ndeshje me Apoloninë, Tiranën apo Lushnjën. Këta mendonin se meqë u mblodhëm kështu dhe thanë hajde se do të dalim kampion. Mirë trajneri i parë që iku, por edhe ky i dyti nuk po bën ndonjë gjë të mjaftueshme apo më të mirë se ai i pari.
Pse mendoni kështu?
Dëgjova intervistën e Morieros që thotë bëra pesë ndryshime. Ore, të gjithë thonë që ekipi fitues nuk ndryshohet. Ata lojtarë që fituan atë ndeshje duhet ta fillonin edhe këtë. Pjeshka bën ndeshje të mirë, pse duhet që ta heqësh prapë? Këto janë gjërat më elementare të futbollit.
Çfarë pritej në ndeshjen me Tiranën?
Në ndeshjen me Tiranën duhej një barazim patjetër. Duhet të mendonin që të merrnin një barazim. Po të merrnin tri pikë ishte “thel mbi bisht” kur i thonë. Mendoj se trajneri Moriero, Trashin po e konsumon shumë, e shkatërron atë…
Në fundjavë luajnë me Vorën. Nuk tolerohen gabimet apo jo?
Me Vorën duhet që të luajnë sikur e kanë ndeshjen e fundit. Të sigurohen që të marrin një pikë. I them skuadrës: mbro, pastaj gjej momentin dhe sulmo.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













