“Shtrydhja” e Flamurtarit, Garsia e nis me rreptësi. Trajneri me bllok në dorë, mban shënime për të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2025 | 18:38

“Shtrydhja” e Flamurtarit, Garsia e nis me rreptësi. Trajneri me bllok në dorë, mban shënime për të gjithë

Pa fjalë dhe me shumë përgatitje fizike, trajneri Karlos Garsia “shtrydh’ Flamurtarin që në ditët e parë. Serioz dhe strikt me një disiplinë të rreptë, spanjolli i pankinës vlonjate, edhe pse i ri në moshë, vetëm 41 vjeç, i ri dhe në trajning, duket se kërkon të sjellë një frymë të re në klub.

Garsia me Licajn dhe Ribajn, flamurtari

“Panorama Sport” ka qenë prezent gjatë një dite stërvitore me kuqezinjtë, duke “zbërthyer” gjthçka që ndodh aty. Skuadra mbërrin në fushën sportive në Pyllin e Sodës ku bëhen gati për nisjen e procesit stërvitor. Trajneri Garsia qëndron në mesin e fushës me ndihmësit e tij Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj. Dëgjohen teksa ripërsërisin programin stërvitor të përgatitur më parë. Garsia duket se i ka studiuar lojtarët aktual, pasi duket se për cilësitë specifike të secilit diskuton me dy zv.trajnerët. Më pas, një mbledhje e shkurtër me skuadrën, ku ndajnë planin e ditës dhe i motivon para nisjes së programit stërvitor. Nis nxehja me vrapime të lehta.

Garsia vëzhgon me kujdes futbollistët dhe shënon me laps në bllokun e vogël, që nuk e ndan nga dora. Tani punën e ka përgatitësi atletik, Animal Gonzales. Ky i fundit udhëheq skuadrën në vrapime. Më pas nis me veprime aerobie. Gonazales i praktikon vetë shembujt në fillim dhe më pas fton futbollistët ta ndjekin. Pas kësaj faze, nis pjesa intensive e seancës. “Frenat” në dorë i merr trajneri Karlos Garsia. Stërvitja zhvillohet thuajse e gjitha në anglisht. Garsia nuk fal, i provon të gjithë përpara porte, teksa i vendos në “pozicion lufte”. Të gjithë me objektivin për një skuadër agresive.

VËZHGUESIT

Në kampin vlonjat funksionon postulati “Big Brother të vëzhgon”. Nuk ndërhyjnë aspak në stërvitje, por vetëm vëzhgojnë. Kjo me sa duket është në këto ditë detyra e drejtuesve të klubit. Shumë i përqendruar dhe pa fjalën, por vetëm në vëzhgim është drejtori i përgjithshëm Alfred Ferko. Ndërsa drejtori sportiv Artim Pollozhani komunikon herë pas here me Ensarin, “Idrizin e vogël”.

PORTIERËT

Shumë punë ka edhe për portierët. Igor Aleksovski dhe Ariol Kaloshi do të stërviten nga Luan Birçe dhe Erion Dine. Birçe, “veterani” dhe besnik ndaj Flamurtarit është rikonfirmuar sërish dhe bashkë me të edhe Dine do të merren me përgatitjen e dy portierëve të ekipit, por edhe të rinjtë që do t’i bashkohen ekipit të parë.

stervitje flamurtari

TË RINJTË

Karlos Garsia ka edhe një mision tjetër, evidentimin e talenteve nga akademia. Në këto ditë ka afruar disa në provë tek ekipi i parë, ndërsa në vijim do të vendos për ata që mund të mbajë në skuadër. Në fakt, kjo detyrë i është ngarkuar edhe nga presidenti Sinan Idrizi.

FAZA JASHTË SHQIPËRISË

Dje ishte seanca e fundit stërvitore në Vlorë. Sot skuadra udhëton drejt Maqedonisë së Veriut, vendlindjes së drejtorit Pollzhani. Aty skuadra pritet të qëndrojë për gati dy javë. Përveç përgatitjeve intensive, ekipi parashikohet të kryejë edhe ndeshje miqësore. Më pas, pritet të rikthehet pak ditë në Vlorë. Për pjesën e dytë të fazës stërvitore, një opsion që po mendohet, është zhvillimi në Turqi.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL