Shqipëria U17 “kopjon” atë U19 ndaj Italisë, shënon e para dhe pastaj pëson 4 gola në miqësore
Shqipëria U17 ka luajtur sot një ndeshje miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Italisë, me të cilët do të ndeshet përsëri pas dy ditësh. Dhe ashtu siç kishte bërë në javën e kaluar Shqipëria U19, është mundur me shifrat 4-1 në sfidën e parë.

Në ndeshjen e luajtur në qendrën teknike të ekipeve kombëtare të Italisë në Koverçiano, kuqezinjtë gjetën të parët golin me anë të Dion Vatës, i cili shtyu në rrjetë topin e kthyer nga shtylla pas gjuajtjes së Markut.
Por Pirola ktheu barazinë në minutën e 29-të dhe më pas Xhianmatei përmbysi rezultatin për Italinë. Në pjesën e dytë Shqipëria tentoi të barazonte duelin, por pa sukses, ndërsa në minutat e fundit pësoi gola nga Perilo dhe Gualjanone, duke u mposhtur 4-1.
Trajneri Fatjon Tafaj e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Simon Lleshi, Xhoel Mezani, Kostantinos Varesis, Enea Bilishti, Dion Vata, Petro Marku, Eris Kurtulaj, Kledi Qosja, Majkol Luka, Ermal Ymeri, Frensi Mali.
PANORAMASPORT.AL













