Sapo rinovoi me klubin e Superiores, mbrojtësi: Sezoni tjetër do të jetë më i fortë me kundërshtarë më të vështirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2026 | 18:34

Sapo rinovoi me klubin e Superiores, mbrojtësi: Sezoni tjetër do të jetë më i fortë me kundërshtarë më të vështirë

Edhe pse sezoni ka përfunduar dhe objektivat janë realizuar, te Vora puna nuk është ndalur. Skuadra vijon normalisht stërvitjet dhe të premten do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Partizanit në stadiumin e Vorës.

shehi

Paralelisht me përgatitjet, drejtuesit e klubit po punojnë edhe për ndërtimin e ekipit të sezonit të ardhshëm, ku një nga prioritetet ka qenë rinovimi me disa prej lojtarëve kryesorë. Mes tyre është edhe qendërmbrojtësi Dajan Shehi, i cili do të vazhdojë të jetë pjesë e Vorës edhe në sezonin e ri. Mbrojtësi elbasanas, që do të nisë sezonin e tretë radhazi me skuadrën vorake, konsiderohet një nga pikat më të rëndësishme të repartit defensiv. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Shehi foli për rinovimin, atmosferën në skuadër, sezonin e kaluar dhe objektivat për kampionatin e ardhshëm.

A jeni i kënaqur me rinovimin e kontratës me Vorën?
Sigurisht që jam shumë i kënaqur. Këtu kam gjetur veten dhe ndihem si në shtëpi. Kam krijuar raporte shumë të mira me shokët e skuadrës dhe me drejtuesit e klubit. Dua t’i falënderoj për besimin dhe mirëkuptimin që treguan në rinovimin e kontratës. Kjo më motivon edhe më shumë për të dhënë maksimumin në sezonin e ardhshëm.

Po vazhdoni stërvitjet edhe pse kampionati ka përfunduar. Si po shkojnë ato?
Po zhvillojmë disa seanca stërvitore që na ndihmojnë të mbajmë formën fizike dhe ritmin. Kushtet në stadiumin e Vorës janë shumë të mira dhe kjo e bën punën më të lehtë. Edhe pse intensiteti nuk është si gjatë kampionatit, këto stërvitje po na shërbejnë shumë, sidomos për lojtarët që kanë pasur probleme fizike apo dëmtime gjatë sezonit. Atmosfera në grup është shumë pozitive dhe kjo na motivon për të ardhmen.

Mbyllët një sezon shumë pozitiv si në aspektin e klubit, ashtu edhe personalisht…
Po, mendoj se kemi bërë një sezon shumë të mirë. Objektivi kryesor ishte mbijetesa dhe arritëm ta realizonim me sukses. Për një skuadër si Vora, që nuk kishte eksperiencën e skuadrave të tjera të Superiores, ishte një arritje shumë e rëndësishme. Edhe në aspektin personal ndihem i kënaqur me paraqitjet e mia. Natyrisht, kjo të jep më shumë besim, por njëkohësisht edhe më shumë përgjegjësi për të vazhduar të punosh fort.

Të premten do të luani një miqësore ndaj Partizanit, skuadër ku keni luajtur më parë…
Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua, pasi Partizani është një klub ku kam kaluar momente të rëndësishme. Gjithsesi, kjo miqësore na shërben më shumë për të thyer rutinën e stërvitjeve dhe për të testuar gjendjen tonë fizike para pushimeve. Besoj se do të jetë një provë e mirë për të gjithë ekipin.

Mendoni se sezoni i ardhshëm do të jetë edhe më i vështirë?
Mendoj se po. Kampionati do të jetë edhe më i fortë, pasi do të ketë skuadra me shumë eksperiencë si Laçi dhe Skënderbeu. Megjithatë, ne nuk duhet të shohim diferencat me frikë. Vora ka treguar se me organizim, sakrificë dhe grup të mirë mund të përballojë çdo kundërshtar. Besoj se klubi po punon për të ndërtuar një skuadër me baza të forta dhe më të konsoliduar.

Me çfarë objektivi do ta nisni sezonin e ri?
Të gjithë duam të bëjmë më mirë se sezonin e kaluar. Kemi besim te grupi dhe te puna që po bëhet nga klubi. Objektivi kryesor mbetet qëndrimi sa më gjatë në elitë, por njëkohësisht duam të tregojmë se Vora nuk është thjesht një skuadër kalimtare në Superiore. Personalisht dua të jap maksimumin tim për ekipin dhe të ndihmoj klubin të arrijë objektivat. Besoj se kampionati i ardhshëm do të jetë shumë i fortë dhe i bukur, por ne mezi po presim fillimin e tij.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL