Rikthim pas, deklarata e fortë e Nevil Dedes dhe pengu tek Egnatia: Nuk besonim bashkë me drejtuesit që Tirana…
Egnatia po ëndërron titullin e tretë radhazi kampion. Sot është rezervuar sfida e javës së dytë të Final Four, pikërisht përballë Vllaznisë në stadiumin “Air Albania”. Egnatia e shikon veten me aq pikë sa Vllaznia në krye, por për shkak të përballjeve direkte nuk mban vendin e parë.

Egnatia nuk e vlerësoi maksimalisht javën e fundit të kampionatit ndaj Teutës. Dhe këtë e pranoi vetë trajneri Nevil Dede, duke thënë se fokusi kryesor ishte Kupa e Shqipërisë. Tashmë që kampionët e humbën finalen e Kupës dhe për më tepër e shohin veten me pikë të barabarta sa Vllaznia dhe Elbasani, mund të kenë shumë pengje për fundin e kampionatit. Aty ku Teuta i mposhti me rezultatin 3-1.
Egnatia u fut në Final Four me 3 pikë më pak se kreu, duke humbur një mundësi të madhe për të qenë tashmë në krye.
ÇFARË DEKLARONTE NEVIL DEDE:
“Fokusi kryesor te Kupa se te sfida me Teutën? Patjetër. Nuk është që prisnim diçka të madhe. Pavarësisht se Tirana bëri surprizën e madhe, mundi Elbasanin. Maksimumi kur bën llogaritë në letër, dhe si do shkojnë pikët dhe në Final Four, por edhe për të menaxhuar energjitë e lojtarëve. Besonim bashkë me drejtuesit që nuk do ndodhte kjo surprizë kaq e madhe se ndryshe do sakrifikonim diçka më shumë për t’u futur më fort në Final Four.
Gjithsesi, përgjegjësia më takon mua. Djemtë u munduan të japin maksimumin, bashkë me katër të rinjtë. Dhe faji është i imi në këtë humbjen e sotme. Më vjen keq që golat i morëm gati të gjitha në ajër. Në fund fare më pëlqeu që në zotërimin e topit ishim të qartë për aq minuta sa mundëm të bëjmë mirë. Tani gjithçka i përket të shkuarës, përgjegjësitë gjithmonë janë të trajnerit, kur paraqitjet nuk janë të mira.
Një ekip si Egnatia nuk i shkon përshtat të marrë 3 gola. Dua të komplimentoj djemtë në ndërtim. Përgjegjësia ime për humbjen, pasi unë vendos për rotacionin. E dija që kishte risk ky rotacion kaq i madh. Në fund fare besoj se brenda pritshmërive dhe llogarive që kemi bërë, jemi 3 pikë larg kur të shkojmë në Final Four. Qëllimi kryesor ishte finalja e Kupës. Shpresojmë atje djemtë të jenë të freskët. Të paktën t’ja kemi arritur qëllimit, pavarësisht kostos së madhe të humbjes që morëm sot”, shprehet trajneri Dede pas humbjes në Durrës.
PANORAMASPORT.AL













