Pse nuk funksionoi Mesi te PSG? Poçetino zbulon problemin e madh të argjentinasit me Mbape

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2026 | 22:45

Pse nuk funksionoi Mesi te PSG? Poçetino zbulon problemin e madh të argjentinasit me Mbape

Mauricio Poçetino ishte ai i cili u bë trajneri i parë i PSG-së së yjeve me treshen Mesi-Nejmar-Mbape. Një treshe që në letër duhej të fitonte gjithçka, por në fakt nuk ia doli jashtë Francës të linte shenjën e saj.

MESI NEJMAR MBAPE

Tekniku argjentinas ka zbuluar në një intervistë për “The Overlap” arsyen se pse në atë edicion 2021-2022, nuk ia doli që të bënte ekipin të funksiononte me të tre në sulm, duke theksuar se problemi i madh ishte mes Mesit dhe Mbape.

“Mesi dëshironte të ndërtonte lojë nga poshtë, me ngadalësi, me lidhje dhe pasime. Pasi ka cilësinë për të mbajtur topin dhe dribluar një, dy, tre… Por nëse luanim për Mbape, nuk mund të luanim për Mesin.

Në anën tjetër, Mbape, nëse ishim mbrapa dhe rikuperonim topin kërkonte hapësirë. Duhej t’i jepnim topin dhe të vraponte. Por kur luanim për Mesin, Mbape me thoshte “cilësia ime është të vrapoj, por nuk po mundem’. Ndërkohë, Nejmar kërkonte të luante me topin”, shpjegoi Poçetino duke zbuluar se tre stilet e ndryshme të lojtarëve, kishin bërë që PSG të mos shkëlqente edhe në arenën ndërkombëtare me ta.

PANORAMASPORT.AL