Presin kampionët, Bylisi kërkon të “thyejë” tersin e 2026-ës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2026 | 20:45

Presin kampionët, Bylisi kërkon të “thyejë” tersin e 2026-ës

Angazhimi në prag të përballjes me Egnatian është maksimal në radhët e Bylisit. Mallakastriotët nuk kanë arritur të marrin asnjë pikë në dy ndeshjet e para të fazës së tretë, duke regjistruar dy humbje radhazi, ndaj edhe përballja ndaj rrogozhinasve shihet si momenti ideal për të kërkuar kthesën. Sfida e së shtunës është mjaft e rëndësishme për Bylisin, jo vetëm sepse luhet në shtëpi, por edhe për të bërë autokritikën pas disfatave ndaj Tiranës dhe Flamurtarit.

bylis

Aktualisht, mallakastriotët renditen në vendin e parafundit, të parakaluar nga Vora dhe Flamurtari, ndërsa shumë pranë tyre ndodhet Tirana e fundit në klasifikim. Sa i përket gjendjes së skuadrës, Kamara mbetet në dyshim, ndërsa e pasigurt është edhe prania e Brunos në repartin e mbrojtjes. Sipas stafit mjekësor, lojtarët nuk janë rikuperuar ende 100%, ndaj stafi teknik nuk dëshiron të rrezikojë në një moment kaq delikat të sezonit.

Këto mungesa padyshim e vështirësojnë punën e trajnerit Mirel Josa dhe stafit të tij, edhe pse alternativat nuk mungojnë. Megjithatë, përballë një kundërshtari me cilësi, eksperiencë dhe kampion në fuqi, prania e elementëve më të mirë do të ishte një plus i madh. Në kuadër të merkatos, Bylisi ka huazuar sulmuesin nigerian Mujab Abiola, i cili ka spikatur edhe si shënues me ekipin B të Luftëtarit në Kategorinë e Dytë. Abiola kishte ardhur gjatë verës në Ballsh si një lojtar perspektive, por pas eksperiencës në Superligën e Nigerisë është larguar për të pasur më shumë hapësira aktivizimi.

Test brenda grupit

Bylisi ka zhvilluar edhe ndeshje kontrolli brenda grupit, ku trajneri Josa dhe stafi i tij kanë eksperimentuar skema dhe lëvizje të ndryshme, për të krijuar një ide më të qartë mbi formacionin e mundshëm. Në portë pritet të konfirmohet titullari, ndërsa në mbrojtje mund ta nisin Radu, Marku dhe Përndreca në qendër, me Peraltën në krah. Abazaj mund të aktivizohet që nga minuta e parë në qendër të prapavijës. Në mesfushë pritet një treshe me detyra kryesisht mbrojtëse, ku Malomo, Përgjoni dhe Adeduro do të kenë rolin kryesor.

Në krahë, Ëalison dhe Koxhi do të ndihmojnë si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë ndërtuese. Në majën e sulmit pritet Mustafa, i cili mund të mbështetet edhe nga Rabiu, një lojtar që shquhet për forcën dhe potencialin e tij. Seanca e fundit stërvitore pritet të japë një panoramë më të qartë për formacionin që do të zbresë në fushë ndaj Egnatias. Vlen të theksohet se ekipi ndodhet në grumbullim dhe po e vlerëson maksimalisht këtë përballje të rëndësishme të fazës së tretë, që do të luhet në stadiumin “Adush Muçaj”.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL