Presidenca ka votëbesuar dhe fuqizuar stafin teknik. Pogradeci nuk dorëzohet, revolucioni nis me Çelën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2026 | 12:01

Presidenca ka votëbesuar dhe fuqizuar stafin teknik. Pogradeci nuk dorëzohet, revolucioni nis me Çelën

Pas dështimit në sezonin e fundit, shumë pikëpyetje ranë mbi të ardhmen e liqenorëve, pasi për të arritur objektivin madhor duhet të ndryshojnë strategji dhe burime njerëzore. Megjithatë, duket se drejtuesit e klubit i kanë idetë e qarta dhe pritet që në edicionin e ri të prezantohen edhe më të fortë, pa hequr dorë nga synimi për ngjitjen në elitë.

LILO- ÇELA

Pogradeci ka “flirtuar” në dy sezonet e fundit me Kategorinë Superiore, por në të dy rastet liqenorët kanë dështuar në finalen ndaj skuadrës së vendit të tetë të elitës, vitin e kaluar ndaj Tiranës dhe së fundmi përballë Teutës. Pogradeci hyn te skuadrat më të investuara të kësaj kategorie në dy vitet e fundit, por pa mundur të sigurojë ngjitjen në Superiore. Gjithsesi, këto dy sezone treguan qartë se jo gjithmonë investimet financiare të çojnë aty ku duhet. Për momentin skuadra po shijon pushimet dhe vetëm në fund të qershorit mund të flitet për fytyrën e re të Pogradecit. Megjithatë, pushimi vlen vetëm për ekipin, pasi drejtuesit janë në punë dhe po hedhin bazat për sezonin 2026-2027. “Panorama Sport” mëson se presidenti Armand Lilo i ka dhënë besim trajnerit Emiljano Çela edhe për sezonin e ri, ndonëse në pjesën e fundit të kampionatit pati disa turbulenca në kampin liqenor. Ky votëbesim i presidencës tregon se drejtuesit janë të kënaqur me punën e kryer nga stafi teknik, me në krye dyshen Çela-Kuli.

Madje, roli i stafit teknik pritet të jetë edhe më i madh, pasi presidenca u ka lënë dorë të lirë në përzgjedhjen e grupit të lojtarëve. Kur të nisë kampionati i ri, do të jetë “Pogradeci i Çelës”, pasi trajneri mori drejtimin e skuadrës së sezonit të kaluar pasi ajo ishte ndërtuar, duke zëvendësuar Ardian Memën. Sipas zërave të parë të merkatos, Pogradeci synon afrimin e emrave me eksperiencë, të cilët mund të garantojnë suksesin, duke ruajtur njëkohësisht edhe bazën e krijuar gjatë sezonit të fundit. Flitet se disa ish-lojtarë të Flamurtarit janë në orbitën e drejtuesve liqenorë, ku mes tyre përmendet edhe ish-kapiteni Lorenc Trashi, i pezulluar nga klubi vlonjat. Gjithsesi, në ditët në vijim pritet të bëhet më i qartë projekti i ri i Pogradecit, ndërsa fundi i qershorit pritet të sjellë zhvillime më konkrete për skuadrën liqenore.

PANORAMASPORT.AL