Pikantet Partizani-Skënderbeu/ Të kuqtë “importojnë” tifozë nga Holanda

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2025 | 17:25

Pikantet Partizani-Skënderbeu/ Të kuqtë “importojnë” tifozë nga Holanda

Ndeshja e së shtunës në “Arenën e Demave” mes Partizanit dhe Skënderbeut u luajt në një orar dhe ditë të përshtatshme për t’u ndjekur nga të gjithë. Pavarësisht kësaj, mblodhi në stadium vetëm afro 1 mijë spektatorë.

Foto/ F. Hazisllari

Foto/ F. Hazisllari

Reshjet e shiut e kanë shoqëruar të gjithë ndeshjen nga fillimi deri në fund, por siç dihet, fusha e stadiumit të kuq është plastike dhe nuk ndikoi te loja e ekipeve. Tribunat janë të mbuluara dhe ofrojnë komoditetin e duhur.

HOLANDEZËT – Dje vëmendjen e kanë marrë një numër prej afro 70 tifozësh holandezë, të cilët kishin blerë nga një biletë në tribunën kryesore, në sektorin e Skënderbeut. Pavarësisht kësaj, ata bënin tifo për Partizanin dhe nuk ishin kursyer për të blerë nga një shall të të kuqve, duke ndihmuar edhe shitësit ambulantë që enden përreth stadiumit para ndeshjes.

Përgjatë 90 minutash tifozët tulipanë nuk janë ndalur, duke kënduar e brohoritur për ekipin e kuq, aq sa në pjesën më të madhe të ndeshjes nga televizioni ata dëgjoheshin më shumë se vetë ultrasit e të kuqve.

TENSION – Ndoshta ndikuar nga rivaliteti i të shkuarës, edhe ndeshja e djeshme ka qenë mjaft e tensionuar dhe gjatë ndeshjes lojtarët herë pas here janë përleshur me njëri-tjetrin. Rabiu ka qenë protagonist më së shumti me zënkat e tij përgjatë ndeshjes, teksa në një moment pati edhe një përplasje mes Buxhelajt dhe Dumfurit, me këtë të fundit, që u ndëshkua me karton të verdhë.

PANORAMASPORT.AL