Pikantet e Partizani-Teuta/ Skuka përplaset me Garsian, Sembene nuk ia harron Beshirajt goditjen me bërryl
Partizani dhe Teuta nuk prodhuan një ndeshje të veçantë përsa i përket lojës. Më shumë bien në sy prapaskenat në momentet kur topi nuk po qarkullonte. “Panorama Sport” ndodhej në stadium dhe iu sjell pikantet e ndeshjes së javës së dytë të Superiores.

-Stuhia gjatë ditës duket se ka ndikuar te rënia e numrit të tifozëve në “Arena e Demave”. Më tepër ishin ndaj Vorës se përballë Teutës. Numri i spektatorëve nuk i kalon 1800. Në sektorin e miqve ndodhen rreth 30 tifozë nga tifogrupi “Djemtë e Detit”. Si gjithmonë nuk mungojnë “Ultras Guerrils” në anën tjetër, duke i dhënë atmosferën e duhur ndeshjes.
-Partizani ka ndryshime nga sfida me Teutën. Garsia dhe Buxhelaj janë ulur në stol, ndërsa vendin e tyre e kanë marrë respektivisht Malaj dhe Atanaskoski. Bytyçi ka zëvendësuar Martinezin e dëmtuar. Teuta e Dobit e ka ndeshje debutuese për këtë sezon, ndërsa është me presidencë të re.
-Iluzione goli në minutën e 7-të. Stolit të Teutës i duket sikur topi i devijuar nga Sembene përfundon në rrjetë dhe çohen për të festuar. Në fund kuptojnë se është vetëm goditje këndi.
-Dobi vazhdimisht duartoket lojtarët e Teutës duke i motivuar. Milinkoviç përfiton nga ndërprerjet e shumta për t’i dhënë instruksione lojtarëve të ndryshme. E nis me Bytyçin.
– Në minutën e 15-të ka zëvendësim të detyruar për Jazxhin te Teuta. Pasi e provoi fillimisht të vazhdonte, shfaqi sërish shqetësime. Vendin e merr Zogos. Stafi dhe një shok nga skuadra interesohet për gjendjen e tij në pankinë.
-Gonzalez ndëshkohet me karton të verdhë nga Çelaj në minutën e 23-të. Për këtë Dobi kërkon llogari te kryesori duke mos u pajtuar me vendimin.
-Arshonzh Bintsuka, i shoqëruar nga Diallo që luan me ekipin B, e ndjek ndeshjen në tribunë. Shfaqet shumë i përqëndruar duke ndjekur ndeshjen. Sulmuesi pritet të rikthehet në shtator në fushë, pasi këto ditë ka punuar për të kapur formën e duhur.
-Si të mos mjaftojnë ndërhyrjet dhe ndërprerjet për shkak dëmtimi, gjyqtari Çelaj e ndalon dy herë padashje aksionin. Ndeshja rifillon me top të diskutueshëm.
-Ka tension mes Sembenes dhe Beshirajt pas vërshëllimës që sinjalizon fundin e pjesës së parë. Lojtarët e të dyja skuadrave mbajnë larg lojtarët nga njëri-tjetri, për të shmangur konfrontimin. Gjithçka duket se lidhet me bërrylin që Beshiraj i dha Sembenes, ndërsa për të nuk u mor asnjë ndëshkim.
-I pranishëm në stadiumin “Arena e Demave” është Julian Ahmataj. Ky i fundit drejton në stol Kombëtaren U-19. Javën e kaluar në stadiumin e Partizanit është shfaqur Alban Bushi, i cili më pas ftoi Gudjufin te Kombëtarja U-21.
-Në këtë sfidë duhet të kryhet edhe një zëvendësim tjetër i detyruar. Pas Jazxhis te Teuta bëhet fjalë për Sembenen nga Partizani. Mbrojtësi i dytë që shfaq shqetësime brenda 90 minutave. Sembene largohet duke çaluar në pjesën e dytë. Dy dëmtime me peshë për Partizanin dhe Teutën. Një javë më parë ishte Françesko Hasaj që pësonte dëmtim të rëndë tek “Arena e Demave”.
-Disa minuta para fundit të ndeshjes regjistrohet një rast i paprecedentë në ekipin e kuq. Portagonist bëhet kapiteni i ekipit Xhuliano Skuka. Ky i fundit përplaset fizikisht me Judah Garsian në një episod krejtësisht të pazakontë disa minuta para fundit të takimit. Reagimi i Skukës ndaj Garsias solli irritimin e tifozëve me të. Pjesa tjetër e lojtarëve qetësoi në fushë të dy futbollistët. Sulmuesi dibran u ndëshkua edhe me karton të verdhë nga gjyqtari.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













