Përballje me shije “play off”-i në “Liri Ballabani”, Iliria sfidon Burrelin pa tre titullarë
Iliria do të udhëtojë të shtunën drejt Burrelit për të zhvilluar ndeshjen e javës së 25-të në Kategorinë e Parë, një përballje direkte mes dy skuadrave që synojnë zonën “play off”.

Fushëkrujasit mbajnë vendin e pestë me 33 pikë, po aq sa Kastrioti i vendit të katërt, ndërsa matjanët renditen të gjashtët me 31 pikë. Matjanët vijnë në këtë takim pas humbjes në transfertë ndaj Besës, ndërsa Iliria barazoi në shtëpi me Kukësin. Ndaj, të dy ekipet kanë si objektiv rikthimin te fitorja në këtë përballje të rëndësishme.
Për këtë sfidë, trajneri Matias Tatanjelo do të ketë tre mungesa të detyruara, Elion Stafa, Adolf Selmani dhe Santiago Rodriguez, të cilët kanë plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe janë të pezulluar. Gjithsesi, Iliria ka një organikë të plotë dhe stafi teknik beson se zëvendësimi i tyre nuk do të jetë problem, edhe pse numri i mungesave mbetet i konsiderueshëm për një ndeshje kaq të rëndësishme.
PANORAMASPORT.AL













