Nuk ka fituar asnjë nga 3 ndeshjet e fundit, Dinamo gjen zgjidhjen. Fajtorët janë… gjyqtarët
Dinamo nuk arriti të merrte më shumë se një pikë në përballjen me Bylisin, ku barazimi pa gola tregon edhe një herë tjetër se “nëndetësja” nuk po kalon një moment të mirë.
Në 3 ndeshjet e fundit, skuadra e Ilir Dajës ka humbur dy prej tyre dhe ka barazuar të fundit, teksa në asnjërën prej këtyre ndeshjeve nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës, duke shtuar edhe më shumë problemet në skuadër.
Pak ditë më parë, Dinamo u mund nga Teuta 1-0, teksa për secilën skuadër kishte nga një karton të kuq dhe nëse Dinamo e kaloi pa zhurmë këtë sfidë, ndaj Bylisit ka ndodhur ndryshe. Veç formës së dobët që Dinamo po kalon, shqetësime janë ngritur edhe mbi gjykimin dhe në kampin blu, pretendohet se në ndeshjet e fundit ka pasur një efekt negativ dhe padrejtësi nga gjyqtari dhe “kupa është mbushur” në ndeshjen e fundit ndaj Bylisit.
Pretendimi i Dinamos, lidhet me një rast në minutën e 47 të takimit, kur Maliqi depërton në zonë por një ndërhyrje nga mbrapa e Përndrecës, vlerësohet si e rregullt nga kryesori Shahini, e aq më tepër edhe nga dhoma e sistemit “VAR”, që mund ta kishte thirrur për ta parë, megjithatë u la vendimi në fushë. Kjo vendim i gjyqtarëve, ka sjellë irritim jo vetëm te stafi teknik e administrativ.
“Panorama Sport” ka mësuar se drejtuesit e Dinamos kanë ankesa të shumta për gjykimin dhe këtu nuk përfshihet vetëm ndeshja ndaj Bylisit, por edhe dy të tjerat dhe me shumë gjasa, pritet që ditët në vazhdim të ketë edhe një ankesë zyrtare në FSHF, në mënyrë që të merren vendime apo të analizohen sjelljet e gjyqtarëve në këto javë të para të kampionatit.
KARTONËT E KUQ- Si për ironi të fatit, gjyqtarët e kanë “ndihmuar” jo pak Dinamon në dy javët e fundit, ashtu siç edhe mund ta kenë dënuar në bazë të ankesave që blutë kanë. Si në ndeshjen ndaj Teutës, ashtu edhe në ndeshjen ndaj Bylisit, Dinamo ka pasur mundësinë që të luajë për shumë minuta me një lojtar më shumë pasi ndaj Teutës, kryeqytetasit kishin superioritet numerik për plot 40 minuta, ndërkohë që për më shumë se 20 minuta ka pasur superioritet numerik edhe ndaj Bylisit.
Megjithatë, në asnjërën prej ndeshjeve, Dinamo nuk ka përfituar që të shënojë gol, madje ndaj durrsakëve, “nëndetësja” pësoi golin e humbjes kur Teuta ishte me një lojtar më pak. Javët në vijim, pritet që të shihet nëse këto gjyqtarë që kanë gjykuar Dinamon, do të jenë apo jo sërish në ndeshjet e tyre. Javën e ardhshme, Dinamo do të luajë derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, ndeshje kjo e planifikuar që të luhet në orën 16:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku për të dyja ekipet është detyrim fitorja për shkak të situatës ku ndodhen.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













