“Një tur bonus nga UEFA, por kundërshtarët kanë një avantazh”, Pinari analizon Dinamon në Europë dhe merkaton e bluve: Zabërgja? Po të ishte për mua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2025 | 18:19

“Një tur bonus nga UEFA, por kundërshtarët kanë një avantazh”, Pinari analizon Dinamon në Europë dhe merkaton e bluve: Zabërgja? Po të ishte për mua…

Drejtori sportiv i Dinamos, Luan Pinari, në këtë periudhë të sezonit është fokusuar plotësisht te puna për të ndërtuar ekipin për sezonin e ri. Merkatoja e bluve “zien” pasi po realizohen afrime, por po projektohen edhe largime me shifra të rëndësishme të futbollistëve që ka në radhët e tij ky klub.

pinari

Lëvizje të cilat Pinari i ka shpjeguar në “Sport News” në “News 24”. Por më parë, në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, ai është fokusuar te ecuria e bluve në Europë, pritshmëria që ka nga ekipi tani që arriti të shkonte në turin e dytë direkt me kundërshtare jo të pakalueshëm në Ligën e Konferencës.

Pinari, si u prit në klub “asisti” i UEFA-s, kaluat një tur pa zbritur fare në fushë?
Sigurisht pritet mirë, sepse kalojmë direkt në turin e dytë. Do ishte mirë në fakt që ta kalonim edhe në fushë, pasi skuadra do merrte minutat apo formën e saj. Ky është një bonus i UEFA-s dhe ne e mirëpritëm.

Fati ju shoqëroi edhe në short, peshkuat çiftin më të lehtë të mundshëm. Do të përballeni me fituesin e çiftit, Atletik Klub d’Eskaldes, një ekip nga Andorra, ose Dideleng të Luksemburgut. Si iu duket shorti në turin e dytë?
Po diskutohet shumë një short i lehtë për Dinamon. Në fushën e lojës nuk do jetë short i lehtë, pasi të dyja ekipet e këtij çifti kanë bërë mirë në Europë. Mendoj se kanë avantazh nga ne eksperiencën në Europë.

Keni ndonjë preferencë?
Nuk kam preferenca. Do përgatisim ndeshjen duke i parë të dy kundërshtarët dhe ne do bëjmë më pas më të mirën.

Ke biseduar me Dajën në lidhje me shortin, çfarë i druhet?
Dinamo nuk do ketë ndeshje zyrtare, kjo është ajo që i druhet stafi jonë teknik, por edhe përvojën që kanë ato kundrejt një Dinamo që kishte kohë që nuk kthehej në këto nivele. Gjithsesi, kam besim se ekipi do jetë gati për të përballuar me sukses këtë tur.

Pinari, cili është objektivi i Dinamos në këtë aventurë europiane, ku dëshironi të arrini?
Në turin e parë, kishim bonusin nga UEFA, por kishim bonus edhe nga ana jonë. Shpresojmë që në turin e dytë t’i japim bonus vetes. Më pas, t’i marrim gjërat me radhë. Ne duam të kalojmë këtë tur pastaj mendojmë se çfarë do bëjmë përsëri.

Çfarë mendon presidenti Bardhi, çfarë iu ka premtuar përpara fillimit të  kualifikueseve në Conferencë League?
Siç e ka mbështetur deri tani, do vijojë ta mbështesë. Gjithmonë ai ka qenë aty për të përmbushur kërkesat tona dhe të stafit, për të përmbushur kërkesat.

Ndalemi pak te sektori juaj, te merkato. Kompletuat një tjetër goditje, afruat në skuadër një qendërsulmues si Hekuran Berisha, 19 vjeç, çfarë prisni nga ky lojtar i ri?
Ne kemi marrë indiciet kryesore nga stafi teknik, e kemi vëzhguar për një kohë të gjatë. Vendimtare ka qenë dëshira e lojtarit. Kemi bërë afrim të mirë. Presidenti ishte i gatshëm për ta bërë këtë investim dhe shpresoj që të vijojmë me afrime cilësore.

E largon përfundimisht ky afrim Zabërgjën, po përgatiteni të luani pa të?
Merkato fillon e bëhet dinamike. Do përgatitemi për çdo situatë. Ne shpresojmë që këta lojtarë t’i kemi për ndeshjet në Europë dhe më pas do të bëjmë vlerësimet e duhura. Ne do e kemi të vështirë që t’i mbajmë në skuadër.

Më jep një shifër, mund të vendosë Zabërgja një rekord të ri në Superiore? Çfarë shifre keni refuzuar deri më tani?
Po të ishte për mua, do vendosja një shifër sa të doja unë. Duhet të jemi me këmbë në tokë për tregun që është. Mendoj se shifrat duhet të jenë të mira, mund të jetë me përqindje kartoni, apo bonuse. Kjo është një sfidë, edhe në merkato ka sfida dhe ne i kemi pranuar.

Keni afruar një mbrojtës në krahun e majtë si Faton Neziri, çfarë plani keni për Naser Alijin?
Plani jonë është i qartë, çdo pozicion duhet të jetë i dubluar. Aliji është vlerë për ekipin tonë, është lojtar që i jep shumë skuadrës. Shpresojmë që ai të jetë në formë dhe nuk është fare problem se ku luan, ai di ta bëjë punën e tij shumë mirë.

Pinari, keni zgjedhur të bëni “pazar” në Kosovë. Pse kjo zgjedhje, apo keni marrë udhëzime nga Daja?
Nuk kemi marrë vetëm në Kosovë. Ne jemi fokusuar te tregu i afërt dhe tregu që i përshtatet lojës tonë. Për tregun e huaj dhe vendas, po punojmë përsëri. Ne kërkojmë afrime cilësore dhe jo sasiore.

Ku ka ende nevojë të plotësohet ekipi, çfarë kërkesash nga Daja?
Dinamo ka nevojë për një ose dy lojtarë. Do jenë dy lojtarë, nuk mund të flas për pozicione fikse, jemi përgatitur për të bërë diçka të mirë.

PANORAMASPORT.AL