Nga tribunat bosh tek episodet absurde, pikante nga ndeshja Elbasani–Flamurtari
Si çdo ndeshje, edhe kjo përballje e Elbasanit me Flamurtarin pati episodet e saj të veçanta, të cilat shpeshherë shkojnë përtej rezultatit dhe lojës në fushë.

“Panorama Sport” sjell disa nga pikantet interesante të kësaj sfide, detaje që ranë në sy në tribuna, në pankinë dhe brenda vijave të bardha, duke i dhënë ndeshjes një tjetër ngjyrim.
-Për herë të parë, ndoshta që nga krijimi i AF Elbasani, u vu re një prezencë kaq e ulët tifozësh. Numri i tyre nuk i kalonte 300 vetë. Ajo që ra më shumë në sy ishte mungesa e ultrasve të Elbasanit. Sektori i tyre ishte i boshatisur, pasi mesa duket i kanë lënë të gjitha përgatitjet për ndeshjen e mesjavës në kampionat, sërish ndaj Flamurtarit.
– Në minutën e pestë, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, u detyrua të ndërrojë xhupin. Nga i zi, veshi një blu, pasi ngjyra përkonte me fanellat e lojtarëve në fushë.
– Gjyqtari Andi Koçi kishte harruar të merrte kartonët për shtesat. Në minutën e 96-të, ai u afrua te gjyqtari i katërt dhe ky i fundit ia dorëzoi dy kartonët.
– Andi Ribaj u përpoq të luante shpejt topin për të tijtë, por në momentin që e goditi me këmbë rrëshqiti lehtë dhe i doli këpuca nga këmba. Një moment që solli ilaritet në shkallët e stadiumit.
-Në momentin që doli nga fusha e lojës pas kartonit të kuq, Emiljano Musta iu afrua zyrtarëve të ndeshjes dhe u bëri me dije se kishte qenë arbitri ai që e kishte sharë. I irrituar, ai shpjegoi atë që, sipas tij, kishte ndodhur me kryesorin Andi Koçi në fushën e lojës.
PANORAMASPORT.AL













