Në Vlorë presin trajnerin e ri, ndërsa Idrizi sjell te Flamurtari…”Osmanin”
Në Vlorë presin trajnerin, por administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi sjell “Osmanin”. Nuk bëhet fjalë as për trajnerin e përfolur Qatip Osmani, apo të lakuarin si drejtor sportiv, Tefik Osmani.

E gjitha ka të bëjë me aktorin e njohur turk Burak Özçivit, protagonisti i njohur i serialit “Osmani”, i cili prej tri ditësh gjendet në Vlorë, me ftesë të administratorit të Flamurtarit Sinan Idrizi. Kreu i klubit vlonjat e ka shoqëruar aktorin e kinematografisë turke në vendet turistike të Vlorë, në guidën në Karaburun, në një takim në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, si dhe në dreka e darka në restorante brenda dhe jashtë Vlorës.
Idrizi u ka mundësuar një takim me Burak edhe drejtuesve të klubit. Kryebashkiaku Dredha e cilësoi vizitën e aktorit turk si një ngjarje të rëndësishme për promovimin e turizmit. Burak Özçivit pritet të largohet sot nga Vlora.

Le të shpresohet që me ikjen e “Osmanit”, t’i hapet rruga ardhjes së trajnerit të ri të Flamurtarit, aq shumë i mirëpritur në Vlorë. Shpresohet që brenda kësaj jave të marrë fund pritja dhe bordi drejtues, të vendosë për “timonierin” e ri, ku kandidatët janë vendas por edhe nga tregu i huaj, kryesisht italianë.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













