Në Korçë e bëjnë fakt të kryer trajnerin e ri, “vuloset” edhe stafi teknik që do e shoqërojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2026 | 22:40

Në Korçë e bëjnë fakt të kryer trajnerin e ri, “vuloset” edhe stafi teknik që do e shoqërojë

“Audicionet” për përzgjedhjen e trajnerit të ri të Skënderbeut duket se po shkojnë drejt fundit. Edhe pse klubi nuk ka dalë ende me një komunikatë zyrtare apo prezantim para mediave, mësohet se presidenti Ardian Takaj ka vendosur që vendin e lënë bosh nga largimi i Ernest Gjokës ta marrë Julian Ahmataj.

skenderbeu

Bëhet fjalë për rikthimin e një ish-tekniku që e njeh mjaft mirë ambientin bardhekuq dhe që pritet të udhëheqë projektin e ri të Skënderbeut në Superiore. Përveç trajnerit, në Korçë bëjnë me dije edhe për përbërjen e stafit teknik që do të shoqërojë Ahmatajn në aventurën e re.

Nga sa është mësuar, nuk priten ndryshime të mëdha në pankinën bardhekuqe, pasi Ahmataj do të vijojë të punojë me të njëjtin grup bashkëpunëtorësh të sezonit të kaluar. Kështu, Gentjan Liço do të mbajë sërish rolin e zëvendëstrajnerit, ndërsa Denis Hajdini do të vazhdojë detyrën si përgatitës atletik i skuadrës. Po ashtu, Erjon Llapanji do të mbetet trajner i portierëve edhe për sezonin e ardhshëm. Me kompletimin e stafit teknik, tashmë priten edhe lëvizjet në përbërjen e ekipit.

Burime pranë klubit bëjnë me dije për mediat lokale se ndryshimet mund të nisin nga futbollistët që nuk kanë bindur gjatë sezonit të kaluar. Merkatoja pritet të jetë vendimtare për ndërtimin e Skënderbeut të ri, ndërsa Ahmataj do të ketë një rol kyç në përzgjedhjen e grupit me të cilin skuadra do të përballet në sezonin e ardhshëm.

Megjithëse në Korçë flitet për një marrëveshje të përfunduar, deri në momentin që klubi dhe presidenca të dalin me një njoftim zyrtar, gjithçka mbetet në pritje të vulës finale nga presidenti Ardian Takaj.

PANORAMASPORT.AL