Moviola e Egnatia-Elbasani/ Cjapi dhe VAR-i gafë epike, vendosin fatin e ndeshjes në Rrogozhinë
Sfida mes Egnatias dhe El basanit nuk do të mbahet mend vetëm për tensionin në fushë dhe kartonët e shumtë, por mbi të gjitha për një episod vendimtar që ndezi polemika të mëdha dhe që sipas shumëkujt i ndryshoi fatin ndeshjes.

Vendimi i gjyqtarit për të mos përsëritur penalltinë e Elbasanit në minutat shtesë, pavarësisht se në zonë kishin hyrë lojtarë të të dyja skuadrave, u kthye në pikën më të nxehtë të debatit. Një situatë ku teknologjia e VAR-it nuk arriti të shuajë dilemat, por përkundrazi i thelloi, duke lënë pas një valë diskutimesh që pritet të zgjasin. Në një mbrëmje futbolli që prodhoi 12 kartonë të verdhë, tre të kuq, një gol të anuluar dhe një penallti të humbur, gjithçka u përqendrua te ky vendim që ka hapur shumë polemika.
MINUTA E 31-të: Gruda depërton në zonë dhe rrëzohet pas një kontakti me Lulajn. Vendasit kërkojnë penallti, ndërsa gjyqtaria Cjapi pret udhëzime nga VAR pasi ka lënë lojën të vazhdojë. Në fund ai ndëshkon Grudën me të verdhë për simulim.
MINUTA e 44-rt: Një nga episodet më të përfolura ndodhi në fundin e pjesës së parë. Në zonën e Elbasanit, Lulaj u përplas me Fangajn, duke e rrëzuar lojtarin e Egnatias. Loja nuk u ndal dhe në aksionin pasues, verdheblutë realizuan golin e avantazhit. Protestat e rrogozhinasve ishin të menjëhershme, me pretendimin se gjyqtari duhej të kishte akorduar penallti për ta. Pas konsultimit me VAR, vendimi u la në fuqi: goli u konsiderua i rregullt dhe jo faull në favor të vendasve. Një episod që mbetet i debatueshëm, pasi mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.
MINUTA e 56-të: Vetëm pak minuta pas pushimit, Egnatia kërkoi sërish penallti, këtë herë për një prekje të topit me dorë nga Lulaj brenda zonës. Por gjyqtari Cjapi lejoi lojën të vazhdonte dhe më pas VAR konfirmoi se vendimi ishte i drejtë.
MINUTA e 85-të: Tensioni në fushë u rrit ndjeshëm. Lulaj, kapiteni i Elbasanit, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një përplasjeje me Xhefersonin dhe la skuadrën e tij me 10 lojtarë. Pak minuta më vonë, edhe Egnatia mbeti me 10, pasi Fangaj u ndëshkua me karton të kuq direkt për një ndërhyrje të ashpër. Loja mori ngjyrat e një beteje të vërtetë, me ndërhyrje të forta dhe protesta të shumta. Të drejta vendimet e gjyqtarit.
MINUTA E 90+5′ – Momenti tjetër i madh i ndeshjes. Bunjaku shpërtheu në kundërsulm dhe u rrëzua në zonë nga Xheferson. Gjyqtari akordoi penallti për Elbasanin dhe ndëshkoi Xhefersonin me karton të kuq direkt. Vendim i drejtë dhe i pastër, që nuk la shumë hapësirë për polemika.
MINUTA 90+9′: Kulmi i dramës. Loukili mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, por Dajsinani reagoi heroikisht duke pritur gjuajtjen. Në ribaund, Lajthia ishte i pari te topi dhe e shtyu atë në rrjetë, duke shpërthyer festën e verdhebluve. Megjithatë, VAR ndërhyri dhe pas disa sekondash komunikimi, goli u anulua me argumentin se Lajthia kishte hyrë në zonë para goditjes së shokut të skuadrës. Festa u shua menjëherë dhe gjyqtari akordoi goditje dënimi për Egnatian. Por në pamjet e përsëritura u duk qartë se jo vetëm Lajthia, por edhe Ruçi i Egnatias kishte hyrë brenda zonës para se të goditej topi. Sipas Nenit 14 të rregullores së IFAB-it, në raste të tilla penalltia duhet të përsëritej, pasi brenda zonës kishin hyrë lojtarë të të dy ekipeve. Vendimi për të dhënë goditje dënimi ishte, pra, i gabuar dhe ky mbetet episodi më i kontestuar i ndeshjes. (VIDEO)
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













