Mile “shkund” sulmin e Tiranës, do reagimin ndaj Vorës
Trajneri Vangjel Mile ka bërë analizën e ndeshjes së parë dhe ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga skuadra në sfidën me Vorën. Sipas tij, bardheblutë duhet të rrisin ritmin dhe të shfaqin më shumë personalitet në fushë, pasi një tjetër barazim ose humbje do të rëndonte mbi objektivat sezonalë. Stafi teknik e ka theksuar qartë se gabimet e evidentuara në Ballsh nuk duhet të përsëriten.

Ndeshja kundër Vorës shihet si një test i rëndësishëm për Tiranën, që kërkon me çdo kusht të marrë fitoren e parë të sezonit për të ruajtur hapin me rivalët direktë në garën për titull. Bardheblutë e trajnerit Vangjel Mile vijnë pas një starti jo plotësisht bindës, ndaj çdo rezultat tjetër përveç tre pikëve do të sillte presion të shtuar mbi skuadrën.
Nga ana tjetër, Vora nuk ka asgjë për të humbur. Ekipi i rikthyer në elitë do të përpiqet të shfrytëzojë maksimalisht situatën, duke synuar dobësitë e mbrojtjes bardheblu, e cila në javën e parë dha sinjale pasigurie. Për këtë arsye, Tiranës i duhet të tregojë më shumë cinizëm përpara portës dhe të kapitalizojë përvojën e lojtarëve kryesorë, në mënyrë që të shmangë një tjetër hap fals, i cili do të komplikonte edhe më shumë ecurinë në këtë fillim kampionati.
NISËSI I NGADALTË – “Dielli duket që në mëngjes”. Një shprehje që duket se i përshtatet Tiranës në startin e këtij sezoni. 26 herë kampionët e Shqipërisë e kanë nisur edicionin 2025-2026 me një barazim pa gola në Ballsh ndaj Bylisit, duke përsëritur ecurinë e një viti më parë, kur debutuan me 0-0 kundër Laçit. Në katër sezonet e fundit, Tirana ka regjistruar tre barazime dhe vetëm një fitore në ndeshjet hapëse.
Nga 12 pikë të mundshme në këto sfida, bardheblutë kanë grumbulluar vetëm 5, çka tregon se skuadra shpesh e nis kampionatin me ritëm të ngadaltë dhe pa arritur të vendosë menjëherë autoritetin e saj në fushë. Ky bilanc e bën edhe më të dukshëm shqetësimin për mënyrën se si ekipi reagon në javët e para.
VORA “PA SHTËPI” – Sfida e kësaj fundjave do të zhvillohet në stadiumin e Laçit, pasi Vora ende nuk ka gati infrastrukturën e saj për të pritur ndeshjet e Kategorisë Superiore. Një element që e kthen takimin në duel të veçantë, ku bardheblutë jo vetëm duhet të përballen me një kundërshtar të motivuar, por edhe të përshtaten me kushtet e udhëtimit jashtë kryeqytetit.
Aktualisht, Tirana numëron vetëm 1 pikë në klasifikim dhe për të shmangur presionin e parakohshëm mbi skuadrën dhe stafin teknik, fitorja ndaj Vorës shikohet si detyrim. Ndërkohë, mbrojtja mbetet “në alarm” dhe një nga çelësat për të arritur objektivat do të jetë stabiliteti në prapavijë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













