Mbështetja tek eksperienca, shkodranët kanë disa kampionë/ Titujt e fituar, Vllaznisë nuk i mungon përvoja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2025 | 22:16

Mbështetja tek eksperienca, shkodranët kanë disa kampionë/ Titujt e fituar, Vllaznisë nuk i mungon përvoja

Vllaznia tashmë ka hyrë në “ethet” edhe emocionet e titullit kampion, ku shkodranëve u kanë ngelur vetëm dy ndeshje për të kurorëzuar një titull që mungon prej 24 vitesh në Shkodër. Kuqeblutë luajnë të dielën, në orën 20:00, kundër Dinamos gjysmëfinalen e “Final 4” dhe do të synojnë të marrin një rezultat pozitiv për të kaluar në finalen e 12 majit.

vllaznia

Në një moment ku presioni është i lartë dhe nga të gjitha ekipet kërkohet titulli, te kuqeblutë mund t’i besohet eksperiencës së trofeve të disa prej individëve të skuadrës. Kështu, te skuadra e Brdariç janë disa lojtarë, që kanë provuar shijen e titullit kampion. Duke nisur nga Milos Stojanoviç, i cili është dy herë kampion i Serbisë në sezonet 2013-2014 dhe 2015- 2016 me skuadrën e Crvena Zveda. Për të vijuar më pas me Esat Malën, i cili ka fituar titullin kampion të Superligës në sezonin 2018-2019 me skuadrën e Partizanit.

E ndërsa fitues i Superiores është edhe Ildi Gruda në edicionin 2020-2021 me skuadrën e Teutës. Shijen e titullit në Superiore e ka provuar edhe Alfred Mensah me Partizanin në edicionin 2022-2023.

Pra, janë disa futbollistë, të cilët e dinë se çfarë është të fitosh një titull kampion në radhët e skuadrës së drejtuar nga Brdariç, duke mos përjashtuar këtu as emra si: Qarri, Gurishta, Krymi, Deliu, Jago apo Balaj, që kanë fituar Kupa në kampionate dhe vende të ndryshme ku ata janë aktivizuar. Theksojmë këtu faktin se te Vllaznia ka futbollistë që janë mësuar me ndeshjet dhe përballjet për tituj dhe kanë ofruar një garanci për këto duele të “Final 4”.

E. ÇINARI – PANORAMASPORT.AL