Martinez tremb gjermanët me CR7-n: Duam trofeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2025 | 16:45

Martinez tremb gjermanët me CR7-n: Duam trofeun

Nën armë, nën armë”, jehon himni kombëtar portugez. Roberto Martinez po mpreh armët e tij përpara se të përballet me Gjermaninë në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kombeve të UEFA-s sonte në mbrëmje në Mynih.

Screenshot 2025-06-04 164023

Do të jetë “Final Four” i dytë në Ligën e Kombeve si për Roberto Martinez – ai e luajti të parën me Belgjikën në vitin 2021 – ashtu edhe për Portugalinë, e cila, me Fernando Santos në stol, fitoi edicionin e parë të turneut në vitin 2019. “Liga e Kombeve është një garë e rëndësishme dhe ne duam të përpiqemi ta fitojmë atë, sepse në futbollin ndërkombëtar nuk ka shumë shanse për të fituar”, ka deklaruar ai para ndeshjes kundër Gjermanisë.

Numrat janë mburoja e tij më e mirë. Trajneri spanjoll, i cili mund të përballet me “La Roja”-n në një finale hipotetike ka përqindjen më të lartë të fitoreve (71.04%) në historinë e Portugalisë: ai ka 20 fitore, katër barazime dhe katër humbje në 28 ndeshje. Ish-trajneri i Suonsit, Uiganit dhe Evertonit ka lënë pas rekordet historike të Oto Gloria (63.3%), Humberto Koeljo (66.7%), Fernando Santos (63%), Felipe Skolari (56.8%), Paulo Bento (56%) dhe Karlos Keiroz (51%).

FORCA SULMUESE – Roberto Martinez tremb Gjermaninë edhe me forcën sulmuese, teksa nën drejtimin e tij luzitanët kanë shpërthyer, ata kanë sulmin më të mirë me 72 gola në 28 ndeshje. Portugalia e tij shënon mesatarisht 2.57 gola për ndeshje, duke lënë pas 2.35 të António Oliveira (1994-‘96 dhe 2000- ‘02), 2.33 të Humberto Koeljos (1997-‘00), 2.12 të Fernando Santos (2014-‘22), 2.08 të Luiz Felipe Skolari (2003-‘08), 1.72 të Paulo Bento (2010-‘14) dhe 1.2 të Artur Zhorzh (1989-‘90 dhe 1996-‘97).

NUMRAT MË TË MIRË TË KRISTIANOS – Kujtimi i “Euro 2024” – për herë të parë ai dështoi të shënonte për Portugalinë në një turne të madh – nuk i bën drejtësi performancës që Kristiano Ronaldo ka ofruar që nga ardhja e Roberto Martínez në vitin 2023. “CR7”-a, i cili ka 136 gola në 219 paraqitje ndërkombëtare, nuk ka shënuar kurrë aq shpesh sa tani. Kapiteni i kombëtares portugeze numëron 17 gola në 21 ndeshje me ekipin, një mesatare prej 0.81 golash për ndeshje.

“Ai është it më të mirë në Evropë dhe vazhdon të bëjë diferencën. Kristiano po kalon një moment të shkëlqyer si një numër 9”, thotë “Bob”, siç thirret ndryshe Roberto Martinez. Një tezë e mbrojtur edhe nga drejtori i Barcelonës, Deko. “Është mungesë respekti. Kristiano është lojtari më i mirë portugez dhe më i miri në historinë e futbollit botëror”, tha drejtori sportiv i Barcelonës kur u pyet për praninë e vazhdueshme të ish-lojtarit të Realit të Madridit në ekipin kombëtar portugez.

NJË “SELEÇAO” E RIPËRTËRIRË – Ka një aspekt tjetër që nxjerr në pah punën e Roberto Martínez. Portugalia arriti në katërshen finale të Ligës së Kombeve me një moshë mesatare prej 26.1 vjeç. Midis katër finalistëve, vetëm Spanja (25.8) ka një skuadër më të re. Martinez i cili ka përdorur 31 lojtarë të ndryshëm në këtë edicion të Ligës së Kombeve, krenohet me një sistem të të rinjve – Portugalia sapo është kurorëzuar kampione evropiane U-17 në Shqipëri – dhe një ekip kombëtar që përfshin tre breza të ndryshëm: nga Kristiano Ronaldo te Zhoao Neves, përfshirë Ruben Dias. Ka një shembull mjaft të gjallë. Rodrigo Mora (2007), Zhoao Neves (2004) dhe Antonio Silva (2003) nuk kishin lindur ende kur “CR7”-a luante për Portugalinë. E ardhmja u përket atyre. Roberto Martínez ka “armët” për të ëndërruar.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL