Luis Enrike mund të bëhet legjendë, Al Khelaifi: Kemi trajnerin më të mirë në botë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2026 | 23:49

Luis Enrike mund të bëhet legjendë, Al Khelaifi: Kemi trajnerin më të mirë në botë

Luis Enrike ka shansin e artë në karrierë që të kthehet në një legjendë të mirëfilltë në Ligën e Kampioneve. Trajneri spanjoll bëhet gati për finalen e tij të tretë në këtë turne dhe mund të bëhet pjesë e një grupi shumë të zgjedhur trajnerësh nëse ai del ta fitojë atë.

luis enrike

Ai ka fituar dy të parat në karrierën e tij, atë me Barcelonën në vitin 2015 dhe atë me PSG një vit më parë. Nëse fiton edhe ndaj Arsenalit në fund të majit, për trajnerin do të ishte trofeu i tretë dhe kështu do t’i bashkohej Bob Peisli, Zinedin Zidan dhe Pep Guardiolës si trajnerët që kanë fituar tre trofe të tillë. Para tij do të mbetej vetëm Karlo Ançeloti i cili ka 5 medalje fituesi, të ndara mes Milanit dhe Real Madridit.

“Kjo është e mrekullueshme. Dy finale… Duam yllin e dytë. Nuk kemi lojtarë por kemi luftëtarë. Kemi një ekip solid. Ishte një ndeshje madhështore për ne. Duam të vazhdojmë të shkruajmë historinë e PSG, Të gjithë duam të luftojmë. Ky është futbolli, ky është PSG. Kemi trajnerin më të mirë në botë”, ishin fjalët e presidentit të parisienëve, Naser Al Khelaifi, i emocionuar pas arritjes së ekipit të tij, duke ia kushtuar finalen e dytë radhazi pikërisht Luis Enrikes, falë të cilit ekipi i tij ndryshoi plotësisht fytyrë.

PANORAMASPORT.AL