Luis Enrike: Do të jetë e vështirë ndaj Arsenalit, njihem me Artetën që fëmijë
PSG siguroi finalen e Champions pasi eliminoi Bajernin në gjysmëfinale. Skuadra franceze fitoi 5–4 në ndeshjen e parë spektakolare dhe më pas barazoi 1–1 në “Allianz Arena”, duke kaluar më tej.

Ousmane Dembele hapi rezultatin shumë shpejt në ndeshjen e kthimit, duke i dhënë PSG-së një avantazh të rëndësishëm në total, ndërsa goli i vonë i Herri Kejn mbeti vetëm si statistikë. PSG ka eliminuar edhe Arsenal sezonin e kaluar në rrugën drejt titullit, por Enrike pret një tjetër përballje të fortë ndaj londinezëve, të cilët këtë sezon eliminuan Atletiko Madrid në gjysmëfinale.
“E vlerësoj shumë Mikel Artetën. Kemi qenë bashkë si fëmijë në të kaluarën, ai ka bërë një punë të shkëlqyer te Arsenal,” tha Enrike pas kualifikimit. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne besojmë në stilin tonë të lojës”, tha ai. Duke folur për paraqitjen ndaj Bajernit, ai shtoi: “Kemi kujtime të mira. Ishte një ndeshje me shumë intensitet. Mbrojtja ishte më e fortë se sulmi. Karakteri që treguam ndaj një skuadre si Bajern është shumë pozitiv. Jemi shumë të lumtur që jemi në finalen e dytë radhazi.”
Ai theksoi gjithashtu stilin e lojës së të dy skuadrave: “Ishte shumë intensive, shumë e vështirë. Të dy ekipet luajnë në nivelin më të lartë. Ne jemi të ngjashëm, na pëlqen presingu i lartë. Jemi shumë të kënaqur.” Enrike shtoi edhe një detaj personal me humor, duke thënë se në dy ditë do të festojë ditëlindjen dhe shpreson që finalja të jetë një “dhuratë” për tifozët.
Nga ana tjetër, ylli i PSG-së Khviça Kvaratshkhelia u shpreh se skuadra nuk fokusohet te kundërshtari: “Ne respektojmë të gjitha skuadrat. Për ne është e rëndësishme të luajmë lojën tonë. Nuk mendojmë shumë për kundërshtarin, por përgatitemi për ndeshjen tonë dhe japim gjithçka në fushë.”
Finalja e 30 majit në Budapest do të jetë e para për Arsenal pas 20 vitesh, ndërsa PSG synon të mbrojë trofeun e Champions League.
PANORAMASPORT.AL













