Liqenorët “pushtohen nga dallgët”. Kërkohet reagim pas pezullimit të kapitenit, Pogradeci me mesazh ringritje
Pas analizës së zhvilluar me tone të ashpra pas humbjes së fundit, skuadra e Pogradecit ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut, një takim që tashmë ka vetëm vlerë statistikore për liqenorët. Pavarësisht tensioneve të ditëve të fundit, klubi ka dhënë një sinjal të qartë përmes një mesazhi të publikuar në faqen zyrtare, duke theksuar se te skuadra ka nisur reflektimi dhe se reagimi pritet të jetë i fortë.

Në postimin e shpërndarë nga klubi, vihet re edhe mungesa e kapitenit Vangjel Zguro në foton e publikuar, një detaj që konfirmon edhe më shumë situatën e tij pas pezullimit pa afat të vendosur nga drejtuesit. Përmes këtij reagimi publik, drejtuesit e Pogradecit kanë tentuar të japin një mesazh motivues për ekipin dhe tifozët, në një moment delikat të sezonit, kur skuadra po përgatitet për fazën “play off”, pas humbjes së mundësisë për ngjitje direkte. Ja mesazhi i plotë i publikuar nga klubi përpara sfidës së të shtunës në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” ndaj Skënderbeut: “Pas një humbjeje nis reflektimi, një heshtje e shkurtër që flet më shumë se çdo fjalë. Është një moment i vështirë, por jo fundi i rrugës. Në këto çaste formohet forca dhe lind vendosmëria për t’u ringritur.
Nga çdo rrëzim marrim forcë, nga çdo gabim ndërtojmë besim. Dhe pikërisht tani, kur sfida duket më e madhe, besimi bëhet edhe më i fortë. Rruga vazhdon dhe rikthimi ynë do të jetë edhe më i fuqishëm”. Ky mesazh vjen në një moment kur atmosfera në kampin liqenor mbetet e tensionuar, por njëkohësisht tregon se klubi po përpiqet të rikthejë qetësinë dhe fokusin te objektivi final. Ndeshja ndaj Skënderbeut mund të mos ketë ndikim në renditje, por për Pogradecin do të shërbejë si një provë e rëndësishme morale për të testuar reagimin e skuadrës para sfidave vendimtare të “play off”-it.
PANORAMASPORT.AL













