Liqenorët besojnë te ngjitja përmes “play off”-it. Luftëtari-Pogradeci, provë gjeneralë para shtesave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2026 | 10:52

Liqenorët besojnë te ngjitja përmes “play off”-it. Luftëtari-Pogradeci, provë gjeneralë para shtesave

Pogradeci do ta mbyllë sezonin e rregullt këtë fundjavë në transfertë ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, në një sfidë që, të paktën për renditjen, ka vlerë vetëm statistikore. Të dy skuadrat kanë siguruar objektivat minimalë dhe tashmë i kanë përqendruar shpresat te ndeshjet shtesë, aty ku do të vendoset fati i sezonit.

POGRADECI

Për liqenorët, përballja e së dielës është një mundësi për të ruajtur ritmin dhe moralin përpara fazës “play off”, ku synimi mbetet i pandryshuar, sigurimi i biletës për ngjitjen në Superiore. Edhe pse nuk ia dolën përmes sezonit të rregullt, pogradecarët besojnë se mund të shfrytëzojnë këtë shans të dytë për të realizuar ëndrrën e rikthimit në elitë. Nga ana tjetër, Luftëtari ka shmangur rënien direkte nga kategoria, por sezoni ende nuk ka përfunduar për gjirokastritët. Ata do të duhet të kalojnë edhe provën e “play out”-it, ku do të luajnë një finale vendimtare ndaj njërës prej skuadrave fituese të “play off”-it të Kategorisë së Dytë, për të siguruar qëndrimin. Në këtë kuadër, përballja mes dy ekipeve pritet të shërbejë më shumë si një test për të ruajtur formën dhe për të provuar skema, sesa si një duel me presion rezultati.

Situata te liqenorët- Si Pogradeci, ashtu edhe Luftëtari synojnë ta mbyllin sezonin e rregullt me një paraqitje pozitive, për të hyrë me moral në sfidat vendimtare që i presin. Sa i përket formacionit, trajneri i Pogradecit do të ketë një mungesë të rëndësishme, pas llogaritur të larguarit. Sulmuesi Giorgio Lleshaj nuk do të jetë i gatshëm, pasi ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe është pezulluar për një ndeshje. Ndërkohë, te Luftëtari situata paraqitet më e qetë, me gjirokastritët që pritet të zbresin në fushë me grupin e plotë. Në prag të këtij takimi, klubi i Pogradecit ka tentuar të rikthejë qetësinë dhe besimin në skuadër pas humbjes së fundit në Laç, një disfatë që ka sjellë pak lëkundje në ambient. Përmes një postimi në faqen zyrtare, drejtuesit kanë përcjellë një mesazh motivues për ekipin dhe tifozët:

“Skuadra liqenore mbetet e fokusuar dhe e vendosur për të vazhduar këtë formë pozitive deri në fund të fazës ‘play off’”. Një mesazh i qartë se te Pogradeci besojnë ende fort te objektivi madhor, edhe pse rruga drejt Superiores kalon përmes një rruge më të vështirë. Pogradecarët e njohin mirë këtë skenar, pasi edhe sezonin e kaluar u përpoqën të ngjiteshin përmes “play off”-it, por u ndalën në finalen vendimtare ndaj Tiranës. Kjo eksperiencë, edhe pse e hidhur, mund të shërbejë si motivim shtesë për një skuadër që kërkon të mos e lërë t’i ikë sërish nga duart mundësia për ngjitje. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Pogradeci do të dijë të reagojë dhe ta shfrytëzojë këtë mundësi të dytë, duke nisur nga sfida e fundit ndaj Luftëtarit, që shërben si prova e fundit para betejave më të rëndësishme të sezonit.

63 gola ka shënuar Pogradeci në 32 javë kampionat dhe liqenorët rezultojnë si ekipi me sulmin më të mirë në Kategorinë e Parë. Luftëtari është skuadra që ka rekordin e barazimeve, 13 në 32 javë.

PANORAMASPORT.AL