“Liqeni i trazuar”, çështja Zguro ndan ambientin në 2 kampe. Tjetër largim nga radhët e Pogradecit
Pas humbjes në Laç, te Pogradeci situata është kthyer në alarmante dhe klima pozitive që kishte shoqëruar skuadrën deri para kësaj sfide duket se është shkatërruar plotësisht. Në kampin liqenor tani mbizotëron tensioni, ndarjet brenda grupit dhe një atmosferë e rënduar, që rrezikon seriozisht objektivin madhor të sezonit.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se situata është shumë më e rëndë sesa duket nga jashtë. Çështja e pezullimit pa afat të kapitenit Vangjel Zguro, pas penalltisë së humbur në sfidën ndaj Laçit, ka përçarë ambientin në dy kampe: një pjesë e skuadrës i del në mbrojtje kapitenit, ndërsa një pjesë tjetër mbështet vendimin e trajnerit dhe klubit. Por kriza nuk ndalet vetëm te Zguro. Mësohet se pas përplasjes mes trajnerit dhe kapitenit, nga skuadra është larguar edhe futbollisti Miklovan Pere, i pakënaqur me mënyrën se si u menaxhua situata dhe me faktin që përgjegjësia e humbjes iu faturua hapur kapitenit. Sipas informacioneve, disa futbollistë ia atribuojnë humbjen e fundit trajnerit, duke menduar se përgjegjësia taktike i takonte stafit teknik, ndërsa ky i fundit ia ka deleguar barrën lojtarëve. Kjo ka sjellë acarim të mëtejshëm në marrëdhëniet mes skuadrës dhe stafit. Madje, burime pranë klubit konfirmojnë se përplasjet kanë nisur që më herët.
Ka pasur debate me portierin Staniç, me mbrojtësin Vilson Lila, ndërsa habi të madhe ka shkaktuar edhe lënia në stol e Danladit, një prej titullarëve më të rëndësishëm të ekipit, pikërisht në ndeshjen vendimtare ndaj Laçit. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i sezonit të rregullt dhe më pas faza “play off”, Pogradeci rrezikon seriozisht të dështojë në objektivin e ngjitjes, duke çuar dëm investimin e madh të bërë nga presidenca. Atmosfera e ndarë dhe tensioni i brendshëm po e kthejnë skuadrën në një “minë me sahat” në momentin më delikat të sezonit. Pavarësisht pezullimit të Zguros, shumë sportdashës në qytet vazhdojnë të mbështesin kapitenin, duke vlerësuar kontributin e tij ndër vite. Madje, ata sjellin në kujtesë raste të shumta në futbollin botëror, ku lojtarë të mëdhenj kanë humbur penallti në momente vendimtare, madje edhe në finale të rëndësishme, pa u kthyer në “fajtorët” e vetëm të humbjes.
Zguro dhe klubi, “luftë e ftohtë” në rrjetet sociale
Përplasja mes Vangjel Zguros dhe klubit ka kaluar tashmë edhe në rrjetet sociale, ku palët kanë nisur një “luftë të ftohtë” me postime thumbuese. Pas pezullimit nga klubi, Zguro reagoi në mënyrë indirekte me një postim në Instagram, ku nën ritmet e këngës “Icon” të Noizyt, e paraqiti veten si të pazëvendësueshëm, duke lënë të kuptohet rëndësia që ka për skuadrën. Ky mesazh nuk kaloi pa përgjigje. Klubi i Pogradecit, përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, i është kundërpërgjigjur kapitenit, duke rikujtuar penalltinë e humbur në sfidën me Laçin.
“Për liqenorët, ky ishte një shans i artë i shpërdoruar, një moment ku fati ishte në këmbët e kapitenit dhe për pak çaste gjithçka mund të kishte qenë ndryshe”, shkruhej në reagimin e klubit. Megjithatë, postimi u fshi pak më vonë, çka lë të kuptohet se drejtuesit mund të jenë penduar për tonin publik të përdorur ndaj kapitenit. Gjithsesi, dëmi duket se është bërë. Në vend që skuadra të bashkohet në momentin më vendimtar të sezonit, te Pogradeci ka shpërthyer një krizë e brendshme që mund të kushtojë shumë shtrenjtë. Nëse nuk rikthehet qetësia menjëherë, ëndrra e ngjitjes në Kategorinë e Parë mund të shembet pikërisht nga përçarja brenda vetë ekipit.
PANORAMASPORT.AL













