Liga “Gjergj Kastrioti” / Partizani e Skënderbeu, rivalë përsëri në finalen mbarëkombëtare
Ashtu sikurse në edicionin e kaluar, do të jenë Partizani dhe Skënderbeu skuadrat që do të matin forcat për trofeun e Ligës “Gjergj Kastrioti” në volejbollin e meshkujve. Të kuqtë dhe korçarët kaluan me sukses provat e gjysmëfinaleve, duke mundur përkatësisht Tiranën dhe Ferizajn.

Gjysëmfinalja e parë në sallën e Farkës ishte derbi ndërmjet Partizanit dhe Tiranës. Sfida dhuroi një set të parë spektakolar, me Partizanin që e nisi më mirë, ndërsa më pas Tirana reagoi fuqishëm. Për të përcaktuar fituesin u desh një seri e gjatë pikësh shtesë. Në fund triumfi shkoi për ekipin e Ylli Tomorrit në shifrat 34-32.
Në setin e dytë bardheblutë e Arben Sakos u futën më të organizuar në lojë dhe arritën që të shkonin deri në +6 pikë përpara, deri në shifrat 6-12. Por më pas loja e tyre erdhi në rënie, ndërsa Partizani mori kontrollin, duke vijuar me pikë të njëpasnjëshme, për të pëmbysur në 15-14 dhe për ta fituar më pas setin 25-22. Në të tretin loja nuk kishte histori, pasi Partizani dominoi në çdo aspekt, duke fituar thellë 25-16, për të vulosur kalimin në finale pas një takimi që zgjati 1 orë e 39 minuta. Në fund festa e merituar ishte për të kuqtë, të cilët përveçse kaluan rivalët e qytetit, tashmë do të kenë mundësinë që të dielën të arrijnë titullin e tretë radhazi në kompeticionin e përbashkët të volejbollit me klube nga Shqipëria dhe Kosova.

Ndërkohë, finalisti i dytë është Skënderbeu, me korçarët që triumfuan në gjysmëfinalen e mbrëmjes kundër Ferizajt. Një ndeshje me pesë sete e vendosur në fund në favor të Skënderbeut me rezultatin 3- 2. Ekipi nga Kosova mori setin e parë 16-25, ndërsa korçarët fituan të dytin 25-18. Ferizaj rikaloi përpara, duke triumfuar bindshëm në setin e tretë në shifrat 14-25. Më pas Skënderbeu u rikthye më së miri, duke treguar karakter, për të marrë setin e katërt 25- 20, ndërsa kompletoi përmbysjen duke fituar edhe setin e pestë 16-14.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













