Konfirmohet lajmi i “Panorama Sport”. FSHF zyrtarizon trajnerin e ri të Kombëtares U-17
Fatjon Tafaj është pasuesi i Andrea Tedeskos te Kombëtarja U-17, ndërsa ka firmosur kontratë dy vjeçare. “Panorama Sport” e kishte njoftuar më parë emërimin e Tafajt në krye të kuqezinjve të vegjël.

Njoftimi i FSHF:
“Fatjon Tafaj është trajneri i ri i Kombëtares shqiptare U-17.
Federata e Futbollit ka arritur marrëveshjen me trajnerin shqiptar, i cili do të ulet që sot në stolin kuqezi dhe do të drejtojë ekipin në ndeshjet e ardhshme zyrtare e miqësore.
Tafaj ka një përvojë të gjatë dhe të vyer në fushën e trajningut. Së fundmi, ai ka drejtuar ekipin e Kukësit, ndërsa më herët ka qenë trajner i Kamzës dhe zëvendës-trajner në ekipe si Dinamo City, Partizani, Shkëndija, Kukësi, Kamza dhe Vllaznia. Nga nëntori i vitit 2018 deri në nëntor të 2019-s, Fatjon Tafaj ka qenë edhe pjesë e stafit teknik të Kombëtares U-21, në rolin e zëvendës-trajnerit.
Trajneri 43-vjeçar do të drejtojë ekipin kombëtar U-17 për dy vitet e ardhshme sipas kontratës së nënshkruar me FSHF”.
PANORAMASPORT.AL













