Kombëtaret U17 dhe U19 njohin kundërshtarët e sezonit të ardhshëm, FSHF organizon përsëri turnetë duke shpresuar të thyejë mallkimin
Ekipet kombëtare U17 dhe U19, të cilat prej shumë vitesh koleksionojnë dështim pas dështimi në arenën ndërkombëtare, kanë njohur sot emrat e kundërshtarëve që do të kenë përballë në turin e parë të Europianit të kësaj grupmoshe për edicionin e ardhshëm.

Kombëtarja U19 kishte një short disi më të favorshëm pasi ra në grup me Norvegjinë, Luksemburgun dhe Maltën. Shqipëria bën pjesë në Grupin B4 me sistemin e ri të këtij aktiviteti, teksa do të luajë në data 25-31 mars 2026 ndeshjet e miniturneut.
Për Kombëtaren U17, shorti ka qenë pak më i vështirë, pasi ajo u vendos në Grupin 4 përkrah Suedisë, Skocisë dhe Finlandës, në ndeshjet që zhvillohen në datat 11-17 nëntor 2026.
Të dy miniturnetë do të zhvillohen në vendin tonë, pasi FSHF ka marrë përsipër organizimin e tyre, sicc ndodh shpesh me këto grupmosha. Por deri tani strategjia për të pritur ndeshjet nuk ka funksionuar, pasi Shqipëria ka koleksionuar vetëm dështime të njëpasnjëshme me to, edhe pse ekipet kanë qenë të mbushur me lojtarë të cilët aktivizohen në akademitë e klubeve prestigjioze në Europë apo kanë edhe eksperiencë me klubet e Superiores.
PANORAMASPORT.AL













