Klubi i Kategorisë së Parë “me sytë nga qielli”, fusha e “Redi Malokut” në provë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2026 | 23:41

Klubi i Kategorisë së Parë “me sytë nga qielli”, fusha e “Redi Malokut” në provë

Reshjet e shumta të kohëve të fundit në vend kanë krijuar probleme serioze edhe për zhvillimin normal të ndeshjeve të futbollit në disa kategori. Nga kjo situatë nuk ka shpëtuar as terreni i stadiumit “Redi Maloku” në Fushë-Krujë, ku pamjet me baltë gjatë ndeshjes Iliria– Lushnja bënë xhiron e rrjeteve.

Screenshot-2025-12-03-132929

Kalendari i kësaj jave e vendos sërish Ilirinë në rolin e pritëses dhe gjendja e fundit e fushës ka shqetësuar edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, e cila i ka lënë detyra klubit fushëkrujas për përmirësimin e terrenit për ndeshjen e së dielës.

Sipas axhendës së publikuar nga vetë klubi, sfida Iliria – Besa është planifikuar të luhet të dielën, më 22 shkurt 2026, në orën 13:30, në stadiumin “Redi Maloku”.

Megjithatë, duke parë direktivat e federatës dhe reshjet e fundit, Iliria është “me sytë nga qielli”, me shpresën që moti të përmirësohet dhe fusha të jetë në kushte të pranueshme. Mbetet për t’u parë nëse problemi do të zgjidhet në kohë, pasi të dy ekipet synojnë ta nisin fazën e tretë me fitore për të mbajtur gjallë objektivin e zonës “play-off”.

PANORAMASPORT.AL